Protesta kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani, 150 mijë njerëz para Bundestagut
4 Shkurt 2024
Sërish një fundjavë protestash kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani. Protesta më e madhe u organizua në Berlin, ku qindra mijëra vetë u mblodhën para ndërtesës së Bundestagut.
Disa dhjetëra mijëra vetë iu përgjigjën thirrjes së protestës kundër ekstremizmit të djathtë në Berlin. Policia e Berlinit bëri të ditur, se pjesëmarrës ishin më shumë se 150.000 vetë. Demonstruesit para ndërtesës së Bundestagut lëshonin thirrje, “Të gjithë së bashku kundër fashizmit”, apo “I gjithë Berlini i thotë stop AfD-së”, sipas një reporteri të AFP-së. Ndryshe nga protestat e tjera, rrjeti “Hand in Hand”, Dorë më dorë” kishte bërë thirrje për protestën për të mobilizuar qytetarët në nivel federal nën moton “Wir sind die Brandmauer” – “Ne jemi muri mbrojtës” dhe për “mbrojtjen e shoqërisë së hapur e demokratike”.
“Ne duam të tregojmë, se ne si aleancë shumë e madhe mund të dalim së bashku në rrugë”, tha organizatorja Samira Ghandour nga ekipi organizator për ARD. Aktivistja vepron tek organizata “Fridays for future”, një nga 1300 organizatat nga shoqëria civile, kultura e sporti që bënë thirrje për protestën në Berlin. Ghandour bëri fjalë për “një momentum të madh” dhe se protesta nuk do të zbehen.
Shkas për protestat u bënë publikimet e platformës “Correctiv” më 10 janar, mbi një takim në nëntor të vitit të kaluar, ku morën pjesë ekstremistë të djathtë e neonazistë, përfaqësues të AfD, ku u fol hapur për dëbime masive nga Gjermania dhe konkretisht për racizmin. Racizmi, antisemitizmi dhe forma të tjera të armiqësisë kundër grupeve të caktuara po shtohen”, thuhet në publikimin e aleancës “Dorë më dorë” për protestën. “Ne bëjmë thirrje që të mos shikohet më duarkryq normalizimi i ekstremizmit të djathtë në Gjermani dhe Europë”.
Scholz: Protestat sinjal i fortë për demokracinë
Partitë politike nuk bënin pjesë tek organizatorët e protestës, por politikanë të ndryshëm morën pjesë aty, si kryetarja e Partisë Socialdemokrate, Saskia Esken dhe ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, SPD që mbanin një pllakat”Karta e Kuqe për nazistët”.
Kancelari Scholz i ka vlerësuar protestat e kësaj fundjave në të gjithë Gjermaninë si “sinjal të fortë” për demokracinë dhe kushtetutën. “Pavarësisht se ku në Aizenah, Homburg apo Berlin: Në qytete të vogla dhe të mëdha në të gjithë vendin qytetaret e qytetarët bashkohen për të demonstruar kundër harresës, kundër urrejtjes dhe nxitjes së saj edhe në këtë fundjavë”, shkroi kancelari gjerman në platformën X. Vetë Scholz ishte pjesë e një proteste të tillë në Potsdam në janar.
Nga Gazeta Dita