PROTESTA/ Opozita në shesh, Tirana në “shtetrrethim”! Policia publikon masat
11 Korrik 2024
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.
Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.
Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.
REAGIMI I FLAMUR NOKES
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka renditur disa nga arsyet se pse shqiptarët duhet të protestojnë sot në orën 20:00 përballë Kryeministrisë.
Noka i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë për të larguar një orë dhe më parë Edi Ramën si kryeministër dhe t’i hapet rruga zgjedhjeve të përgjithshme.
“Për herë të parë shqiptarët janë të detyruar të përballen me një narkoregjim, i cili i ka kthyer nga njerëzit më të lirë të Europës, më optimistë të Ballkanit që ishin, që po kërkonin të ndërtonin vendin, në njerëzit më të pashpresë.
Ky regjim i ka kthyer shqiptarët në qytetarë që ëndërrojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, larg vendit të tyre, i ka varfëruar, dhunuar.
Duke ardhur rrugës për tek ju, po lexoja se Shqipëria ndër vendet e Europës për vdekshmërinë foshnjore. E kjo jo për shkak të mjekëve, por për shkak të gjendjes ku e ka katandisur.
Shikoni statistikat e UNICEF, 47 % e fëmijëve të kequshqyer. Do të thotë që do të ketë keqzhvillim të tyre, mendor dhe fizik nesër.
Këtë të ardhme po i ofron Edi Rama, shoqërisë tonë. Kemi sondazhe që 44% e shqiptarëve jetojnë në varfëri, në zemër të Europës.
Ndërkohë që Edi Rama dhe oligarkët e tij jetojnë në një luks përrallor dhe ata kanë krijuar një Shqipëri surreale, në kokat dhe familjet e tyre, krejt pa lidhje me Shqipërinë ku jetojnë shqiptarët.
Kemi një drejtësi që është kthyer me regji politike dhe në vend që të targetojë të gjithë hajdutët e pushtetit, i është vërsulur liderëve të opozitës dhe mban të burgosur liderin e opozitës.
Kemi një pushtet që nuk ka asnjë lidhje me votën e lirë. Në Shqipëri vota e lirë është tërësisht e asgjësuar. Edhe në sondazhet që bëjnë ndërkombëtarët, janë vetëm 1 në 5 shqiptarë që besojnë në votën e lirë.
Kjo gjendje katastrofale e vendit kërkon një reagim dhe opozita ka vendosur të thërrasë sot një protestë qytetare. Ne do të jemi të gjithë aty, në ballë me familjet tona, në një protestë qytetare, civile, pavarësisht se tamtamet e pushtetit janë përpjekur të ndjellin idenë e një dhune dhe një përshkallëzimi.
Të dashur qytetarë, kjo do të jetë protesta më qytetare, më civile, por do të jetë protesta më madhështore, sepse sot nuk ka shqiptar që nuk ka arsye për të protestuar’, tha Flamur Noka në SYRI TV.
Nga OraNews