Protesta sot, Preç Zogaj: Kjo është rruga që e çon opozitën në fitore, nuk largohet as Basha as Monika, por… –

16 shkurt 2019

Analisti Preç Zogaj, në një intervistë për “Abc News”, ka komentuar protestën e sotme të opozitës së bashkuar, e cila qëndroi për 5 orë para kryeministrisë dhe më pas u largua për t’u bashkuar sërish ditën e enjte.

Ai tha se ka qenë vetë në këtë tubim dhe se ka folur me qindra protestues të mbledhur në shesh, të cilët i kanë thënë se nuk kanë ardhur me qëllim dhunën apo trazirat, por për të treguar se janë me opozitën. I pyetur për reagimin e ndërkombëtarëve dhe dënimin e dhunës së ushtruar sot, ai tha se reagimi i tyre pritej e ndërsa shtoi se nëse do të ishte përshkallëzuar më tej situata, reagimi i tyre do të ishte edhe më i ashpër.

Ndër të tjera, Preç Zoga tha se një nga format që opozita të vijë në pushtet janë protestat e vazhdueshme si dhe kapitalizimi i suksese të arrita prej saj, si lufta  për dekriminalizimin, dekanabizimin apo edhe denoncimet e shumta për disa ministra të kabinetit Rama dhe largimin e tyre nga detyra.

I pyetur nga gazetarja lidhur me deklaratën e Monika Kryemadhit, e cila para protestës tha se nëse nuk ikën Rama do largohet ose Lulzim Basha ose vetë ajo, Zogaj ka thënë: “Monika e ka thënë këtë gjë po nuk flas dot në emrin e tyre, por them se janë deklarata që kanë për synim të vandalizojnë , sepse nuk kanë pse ikin as Monika as Basha. Nuk funksionon kështu”.

Sakaq ai ka komentuar edhe arsyet kryesore që e nxorën popullin në shesh sot.

“Problemi më i madh është ai që lidhet me shitblerjen e votës. Unë jam një nga njerëzit që e kam shtruar me forcë shitblerjen e votës. Kanë dalë edhe disa përgjime që tregojnë tashmë atë që e kemi ditur, që PS angazhon njerëz në blerje votash.

Kjo është një temë që duhet diskutuar edhe mes ndërkombëtarëve. Për pjesën tjetër ka një dinamikë loja politike. Duhet të luash me anë të mekanizmit të kundërshtarit”, tha Zogaj.

I pyetur nëse opozita do t’i djegë mandatet për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, ai thotë se nuk ka mungesë vëmendjeje dhe se faktori ndërkombëtarë prej kohësh i ka sytë nga ne.

“Përparësia e politikës së këtyre fuqive, përcakton shumë me gjithë zhvillimet e vendit. Kanë përcaktuar edhe para dy vitesh, sepse ishin ata që i dhanë fund çadrës.

Duan që të niset treni i drejtësisë së re, për një reformë në drejtësi, pra ata thonë t’ia lemë ligjit këtë mision dhe nuk duan që ta shartojnë në forma të tjera.

Protesta mund të japë mesazhe por nuk spastron dot politikën nga krimi, ky është iluzion.

Ata thonë që kjo është përparësia. Janë krijuar disa pjesë të këtij “treni”, Këshilli i Lartë i gjyqësorit, etj, dhe ata thonë të montohen këto pjesë… të mblidhet dhe SPAK…

Opozita duhet të bëjë këtë lloj “martese”, dhe të ketë përparësi, e të besojë në këtë mekanizëm, në reformën në drejtësi.

Vëmendja është maksimale. Ka fituar një rëndësi të madhe tek faktorët ndërkombëtarë.  Protestuesit sot kanë ardhur për t’ju përgjigjur apelit të opozitës e për ti thënë qeverisë që ne jemi me opozitën.

Opozita shkon drejt fitores duke kapitalizuar arritjet e veta, siç janë  dekriminakizim, dekanabizim. Largimi i shumë ministrave që janë akuzuar për korrupsion, janë pjesë jo vetëm e studentëve por edhe e opozitës, pasi kanë qenë në shënjestër të saj.

Këto të çojnë drejt fitores, kjo është rruga që e çon opozitën në fitore, kështu ka ndodhur edhe më parë”, tha ai.

Vazhdimësia e protestës

“Nuk e di këtë. Nuk mund të them. Kjo është një opozitë që e respekton qëndrimin e ndërkombëtarëve. Nuk mund t’i bjerë murit me kokë. Opozita arriti një sukses, kush thotë të kundërtën gabon. Policia u tregua profesionale. Lejoi që disa njerëz të shfrynin nervat, akte sporadike dhune, por policia i menaxhoi mirë situata. Këto ndodhin në një vend ku demokracia ka probleme por funksionin. Edhe media funksionoi mirë.”
Protesta e radhës

“Mendoj se do të jetë një protestë jo si kjo, por që do të japë një mesazh vazhdimësie. Një protestë e madhe do të organizohet më vonë. Nuk besoj se ajo e së enjtes do të jetë si kjo e sotmja. Do të ketë më shumë pjesëmarrje nga Tirana se sa nga rrethet, por do t’i paraprijë një proteste tjetër si kjo e sotmja, apo edhe më e madhe. Rama mori një mesazh të fortë, një goditje të fortë, nëse kjo nuk lexohet do të ishte fatale.

Basha apo Rama doli më i fortë? 

Nuk e kuptoj idenë e rrëzimit të kryeministrit. Kështu nuk ka qeverisje kurrë. Qeveria bie kur humbet numrat ë parlament, ose në një situatë të jashtëzakonshme. Në rastin e opozitës bie pas një proteste shumë ditore, me një argument shumë të fortë. Rama doli më i dobët.

prec-zogaj

PANORAMA