Prova e një marrëveshjeje të fshehtë Basha –Rama.

Nga Andi Bushati.

Të gjithë idhtarët e teorive konspirative, që së paku prej verës së 2017 fantazojnë për skenarin e një pakti të nëndheshëm Rama-Basha, tani e kanë edhe provën. Zëra zyrtarë nga PD-ja i janë bashkuar të singjashmëve të tyre rilindas, për të hedhur poshtë një nga nismat më progresive që i është paraqitur publikut shqiptar, duke i’u dorëzuar më pas në formë të zyrtarizuar parlamentit, atë për ndryshimin e sistemit me lista të mbyllura.

Thelbi i këtij projekti qëndron në vullnetin për t’u hequr kryetarëve të partive ekskluzivitetin e përzgjedhjes së deputetëve (pra dhe eleminimin sa më shumë të jetë e mundur të servilëve, të paaftëve apo banditëve) për tu’a kaluar atë dhjetra mijra votuesve të tyre.

Pikërisht, ky synim, për të mos lëshuar nga duart monopolin absolut që kanë mbi partitë respektive, e për rrjedhojë, mbi gjithë jetën politike të vendit, i ka bashkar në një barrikadë kundër interesit të përgjithshëm të qytetarëve, Ramën dhe Bashën.

Në thelb, ata po përsërisin të njëjtën marëveshje që bënë Berisha dhe Rama, në prill të 2008-ës, kur ndryshuan kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, duke rritur fuqinë e kryeministrit përballë mocioneve, duke dobësuar peshën e deputetëve, duke minimizuar pushtetin e presidentit, për të shkuar drejt një kompromisi të shpifur: ai që është në qeveri i ka të gjitha, ai që ëshë në opozitë i humb të tëra.

Së çfarë pushteti i dha ky pakt Berishës, për të shkatërruar dosjen e Gërdecit, ku dilte familjarisht i përlyer, se si e ‘trimëroi” atë drejt masakrës së 21 janarit dhe grabitjes së zgjedhjeve të Tiranës, kjo nuk ka nevojë të rikujtohet. E vetmja gjë që i’a vlen për krahasim është fakti se kjo lloj gjithpushtetshmërie, po i lejon Ramës të grabisë, bashkë me oligarkët, përmes koncesioneve që voton me delet e tij në kuvend.

Të njëjtin sistem: ai që fiton zgjedhjet i ka në dorë të gjitha, pa fre dhe pa kontroll, po kërkojnë të instalojnë për dekadën e ardhshme, Basha dhe Rama, duke refuzuar ndryshimin formulës për përzgjedhjen e deputetëve.

A do t’i duhej edhe më shumë për t’u bindur një idhëtari të teorive konspirative, që beson në një pakt të fshehtë mes tyre?

Në fakt ka edhe më. Dhe provën për këtë e jep Lulzim Basha.

Asnjë lider opozite, i pajisur me një aparat normal arsyetimi, kuk do të kishte guximin të humbiste me një të rënë të lapsit 50 mijë votues potencialë, të cilët i kanë kërkuar me nëshkrimet e tyre ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Asnjë mëtonjës pushteti, nuk do ta shpërfillte kaq mendjelehtësisht krijimin e konsensusit rreth vetes ndërkohë që prej gjashtë vitesh luan teatrin e republikës së re dhe të dëgjimit të zërit të qytetarit.

Asnjë sfidant real i kryeministrit, nuk do të tregonte këtë shpërfillje ndaj meritokracisë të përzgjedhjes së deputetëve, ndërkohë që bën thirrje për hapjen e partisë.

Në fakt, Basha i ka bërë të gjitha këto dhe kaq është mëse e mjaftueshme për të yshtur fantazinë e të gjithë atyre që duan të besojnë se ai ndan paratë me Ramën, se merr benefice prej të njëjtëve oligarke, se kanë të njëjtat intersa dhe se në thelb nuk duan “t’a vrasin njëri- tjetrin”.

Dua ta them që në fillim, unë nuk jam njëri prej atyre që besojnë në këtë konspiracion. As nuk i imagjinoj të ulur në një tryezë, apo duke shkëmbyer mesazhe dhe bërë plane për fitime reciproke. Deri në një provë të kundërt, mendoj se Basha dhe Rama janë vërtet armiq, se ata nuk do të ngopeshin duke e parë keq e më keq njëri- tjetrin.

Por, e veçanta është se ata janë armiq të një lloji të veçantë. Ata urrehen, mund të kacafyten madje dhe të vriten për të pasur për vete karriken e kryeministrit dhe ato pak metra katrorë që ofron zyra e tij.  Por, përtej kësaj, ata nuk janë aspak të tillë, për të ndryshuar modelin e qeverisjes së vendit.

Ata duan ti marrin njëri- tjetrit gjithçka, pa i dhënë shqiptarëve asgjë. Ata janë gati ti vënë zjarrin me molotov zyrës që s’e marrin dot, më kollaj se t’a ndajnë pushtetin që buron prej saj edhe me të tjerë.

E në këtë pikë, paradoksalisht, ata janë po aq armiq sa dhe bashkëpuntorë. Ata nuk kanë asnjë pakt për atë që i ndan, por janë krejt në dakordësi për atë që i bashkon. Ajo përmblidhet shkëlqyeshëm në frazën lapidare të Giuseppe Tomasi di Lampedusa: “Të ndryshojmë gjithçka, për të mos ndryshuar asgjë”.

©Lapsi.al