14 Prill 2025

Zbulohen detaje të reja rreth aferës 19 milionë euro të Eko Park në Durrës. Me pamje provohet se jo vetëm firma, por projektues dhe zbatues i këtij projekti është kryeministri Edi Rama, duke përdorur kompaninë e menaxhimit të aferës së incineratorëve. Kryeministri Rama së bashku me drejtorin e incineratorit, Elton Bualli kryenin dhe inspektonin punime në terren, në një kohë që nuk ishte lidhur as kontrata për lëvrimin e 19 milionë eurove.

19 milionë euro i kushtoi taksapaguesve shqiptarë Eco Parku në Durrës, që mban ekskluzivisht firmën dhe autorësinë e kryeministrit Edi Rama. Por më pas u zbulua se ajo ishte një aferë e pastër korruptive, pasi i gjithë projekti ka kushtuar rreth 6 milionë euro, sipas dokumenteve zyrtare të kompanive zbatuese ndërkohë që 13 milionë euro të tjera u zhdukën. Ndërkohë SPAK prej 3 vitesh ende nuk ka zbuluar se në xhepat e kujt përfunduan.

Këto janë pamjet ku faktohet autorësia e kryeministrit Edi Rama në këtë projekt. Ndërsa tenderi ishte anuluar më 2 dhjetor me firmë të ministres Anila Denaj, më 7 dhjetor 2019, kryeministri EdI Rama shfaqej në kantier krah drejtorit të të gjithë incineratorëve, Elton Buallit, për vijimin e punimeve, ndërsa nga shkresat rezulton se procedura dhe kontrata ende nuk ishte lidhur.

Syri Tv ka zbuluar sot detaje të reja rreth kësaj afere, ku duket se kryeministri Edi Rama është personi që ka dijeni më shumë se çdokush për këtë aferë, e madje sipas këtyre provave është jo vetëm urdhëruesi dhe projektuesi, por ka marrë edhe rolin e zbatuesit, duke urdhëruar drejtuesit e kompanisë së incineratorëve se si duhet të kryhen punimet. Por përpara se të ndalemi te këto detaje, duhet të kujtohet procedura e ndjekur për këtë aferë, ku gjithçka nis më 1 prill të 2019, kohë kur është lidhur kontrata mes “Integrated Energy BV SPV” dhe “Casanova-Hernandez Architechten” për zhvillimin e projektit të Eco Parkut Durrës. Kjo kontratë është firmosur 6 muaj para se të hapej tenderi, apo 2 muaj para se të njoftohej publikisht si projekt nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, në muajin tetor të po këtij viti, shpallet tenderi për mbylljen e vend-depozitimit ekzistues dhe ndërtimin e eco-parkut me fond 19 milionë euro. Më pas ndodh e papritura. Tri ditë para shpalljes se fituesit, qeveria anulon tenderin e Anila Denajt, dhe më pas Edi Rama në shkelje të çdo ligji urdhëron AKUM të lidhë kontratë me procedurë të përshpejtuar me këtë grup.

Siç është denoncuar edhe më herët, pas këtij projekti fshihet grupi mafioz që krijoi aferën e incineratorëve, e kjo me bekimin e kryeministrit Edi Rama. Në datë 7 dhjetor 2019, 20 ditë para se AKUM t’i jepte projektin De Mare dhe Victoria Invest per 19 milionë euro, kryeministri Edi Rama shfaqet në Porto Romano me Elton Buallin, drejtorin e “Integrated Energy” duke inspektuar punimet që kishin nisur prej kohësh, çka fakton se ishte Edi Rama që urdhëroi kompaninë e incineratorit të Tiranës për të filluar punimet dhe për të bërë menaxhimin e mbetjeve të tërmetit dhe fillimin e kapsulimit sipas projektit. Sepse kontrata koncesionare për incineratorin e Tiranës e ndalonte kategorikisht këtë kompani që të zhvillonte projekte të tjera.

Jo vetëm kaq, por me urdhër, kryeministri kërkon vënien në rresht të bashkive, që të çojnë mbetjet te incineratori, e për realizimin e kësaj kryeministri porosit Drejtorin e incineratorit të Tiranës, që të marri masa.

Ndërsa punimet vijonin në një kohë që procedura është anuluar e kontrata e re nuk është lidhur, problemi që kryeministri Rama u kujdes dhe në terren, ishte lëvrimi i parave, e si kompensim, kompania menaxhuese e aferës historike, duhet të përfundonte punimet, pasi sipas Ramës, katastrofa u dha mundësinë që paratë t’i nxirrnin më kollaj…

Ndërsa SPAK prej 3 vitesh heziton të hetojë këtë aferë, duket se përgjigja për zhdukjen e 19 milionë eurove në këtë aferë, gjendet ekskluzivisht te kryeministri Edi Rama.