PS gati të lëshojë pushtetin vendor. – Se shpejti Zgjedhje Lokale, ndoshta …
PS gati të lëshojë pushtetin vendor. – Se shpejti Zgjedhje Lokale, ndoshta …
8 QERSHOR 2020
Partia Demokratike ka ndezur motorët për zgjedhje. Dje kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me kryesinë e partisë, ku propozoi nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Më konkretisht zoti Basha kërkoi përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie. Ndërkohë, burime të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se lideri demokrat ka nisur lëvizjet për rinovimin e partisë dhe ka mobilizuar bazën për zgjedhje. Mësohet se shefi i selisë blu ka kërkuar angazhimin e strukturave që të përgatiten sikur zgjedhjet të mbahen nesër, ndërsa ka siguruar se në vjeshtë vendi do të shkojë në dy palë zgjedhje. Opozita joparlamentare qysh kur dogji mandate ka këmbëngulur tek zgjedhjet e parakohshme, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.
Por në korridoret e politikës flitet se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje vendore në të njëjtën kohë. Për këto të fundit duket se e bindur është edhe Partia Socialiste, e cila pritet të lëshojë pushtetin vendor për shumë arsye. E para ka të bëjë me faktin se disa bashki janë pa kryetar. E dyta ka të bëjë me faktin se ndërkombëtarët dhe OSBE nuk është se i kanë certifikuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ndërsa e treta ka të bëjë me faktin se strukturat e PS dhe deputetëve iu është kërkuar nga kryeministri Edi Rama që të zbresin në bazë dhe të mobilizojnë strukturat sikur zgjedhjet të zhvillohen nesër. Kështu që, nisur nga këto, ku kemi një koordinim mes dy partive më të mëdha në vend që duket sikur kanë nisur edhe fushatën, nuk përjashtohet mundësi që në vjeshtë të mbahen dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë.
Basha spastrime të forta në listat e kandidatëve
Por zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore pritet që të sjellin furtunë në radhët e Partisë Demokratike. Kur erdhi në krye të PD, Lulzim Basha nis një reformë të thellë, duke përjashtuar dhe larguar nga partia pjesën më të madhe të themeluesve, si dhe zërave kritikë. Kulmi i përjashtimeve ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe pas paktit të 17 majit “Rama-Basha” të 3 viteve më parë, ku në mënyrë të beftë kryedemokrati Basha la jashtë shumë figura të spikatura si ish-nënkryetaren e PD, Jozefina Topalli apo ish-nënkryetarin e PD, Astrit Patozi. Mirëpo, gazeta ka mësuar se Basha ka vendosur të bëjë revolucion edhe më të thellë në radhët e demokratëve, në nivel qendror, sikundër është grupi parlamentar dhe në nivel vendor, sikundër janë kryetarët e bashkive. Mësohet se lideri demokrat do të lërë shumë ish-deputetë jashtë listave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për disa arsye. Mësohet se arsyeja e parë se përse Basha do të vendosë emra të tjerë dhe të rinj në listën e deputetëve që do të garojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është fakti se ai kërkon që të ketë figura dinjitoze që të përfaqësojnë PD-në, kjo pasi disa prej ish-deputetëve, por edhe deputetët aktualë që etiketohen si deputetë të opozitës së re ia njollosën figurën Partisë Demokratike, pasi kanë nivel të ulët intelektual dhe duan apo nuk duan ata, e vërteta është se kanë dalë nga sigla e PD. Ndërkohë, arsyeja tjetër është se lideri demokrat i ka kërkuar bazës që të përzgjedhë kandidatët, pasi kërkon që në zgjedhjet e ardhshme PD të garojë me emra që mbështeten fuqishëm nga baza dhe që janë intelektualë, të fortë, të painkriminuar që të mos i kapë ligji i dekriminalizimit dhe popullorë në mënyrë që të kenë elektorat e votat e tyre. Kjo pasi këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme, pasi nga to varet edhe fati i Lulzim Bashës në krye të PD. Pra, sipas informacioneve mësohet se Basha do t’i kushtojë shumë vëmendje këtyre zgjedhjeve, ku do të mundohet që të zgjedhë emrat më të mirë që do të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga ana tjetër, mësohet se të njëjtën strategji zoti Basha do të përdorë edhe për kandidatët për kryetar bashkie.