7 Nentor 2022

Nga OraNews

Partia Socialiste akuzon koalicionin  Berisha – Meta se po përpiqen të destabilizojnë situatën në vend.

Një deklaratë e tillë vjen pak ditë nga 12 nëntori, data kur opozita ka thirrur një protetë kombëtare përballë kryeministrisë kundër qeverisë Rama.

“Ndërsa e gjithë Europa është nën kërcënimin e një lufte e cila nuk ndodh vetëm në Ukrainë por ka prekur të gjithë Europën ajo që bie në sy është përpjekja e një aleance të vjetër mes Sali Berishës dhe Ilir Metës për të dëmtuar interesat e Shqipërisë në këtë moment të vështirë dhe historik.

Opozita në Shqipëri kërkon destabilizimin e vendit. Këtyre dy haxhiqamilëve nuk duhet tu shkojë më askush nga prapa. Është e rëndë që këta dy njerëz sot në Shqipëri flasin me të njëjtën gjuhë sikurse flet Lavrovi i Putinit.” tha kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një prononcim për median.

Balla i bën presion SPAK duke i kërkuar llogari pse nuk po nis hetimet lidhur me dyshimet për financimin nga rublat ruse.

“Keqardhje e madhe që SPAK ende nuk ka nisur një hetim si një parti politike ka përfunduar në borderorët e Kremlinit. I bëj thirrje zotit Arben Kraja që për çështje të interesit kombëtar të nisë menjëherë hetim për këtë çështje. Urgjentisht të thirren Basha e Berisha e të gjithë që kanë ngjyer gishtat dhe xhepat në rublat ruse.”

Balla madje i bëri thirrje demokratëve të distancohen nga Berisha.

I bëj thirrje të gjithë demokratëve që në këto kushte që na duhen sa më shumë solidaritet me Kosovën, sa më shumë bashkim me njëri-tjetrin, të heqin dorë nga shpërdorimi i asaj që ka mbetur nga PD-ja për interesat e ngushta të një individi,” tha ai.