“PS po ndjek në mënyrë të shëmtuar modelin mafioz rumun për të goditur sistemin e ri të drejtësisë”/ Gazetari i njohur zbulon skenarin e PS-së
21 Shkurt 2024
… Mbi 200 mijë rumunë dolën në shesh për 6 muaj dhe rrëzuan qeverinë.
Gazetari Lavdrim Lita i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit komentoi debatin mbi draftin e mazhorancës në lidhje me Amnistinë Penale.
“Siç rezulton deri tani kemi të bëjmë me një tjetërsim të amendamentit për Aministinë Penale të deputetit demokrat Bledion Nallbati nga ana e mazhorancës.
Vetë ministri i Drejtësisë ka informuar BIRN-in i cili botoi dhe lajmin. Të nesërmen doli vetë deputeti dhe tha që unë kam bërë këtë amendament, dhe jo këtë që pretendonte BIRN.
Dhe personi që e ka riformuluar amendamentin e Nallbatit ka qenë Plarent Nreca duke bërë një amendament që ai ka pasur në mendjen e tij. dhe më pas ka rezultuar kjo amulli që Rama ia faturon opozitës, por që në fakt është një budallëk nga ana e ministrit të Drejtësisë, por që është një skemë e mirëfilltë mafioze, ashtu siç ka ndodhur në Rumani disa kohë më parë për të depenalizuar disa elementë dhe vepra korruptive.
Në Rumani është bërë e njëjta gjë, përmes një projektligji për të amnistuar disa vepra penale, përfshirë këtu dhe korrupsionin nga zyrtarët e shtetit, dhe populli rumun doli në protestë, mbi 200 mijë rumunë dolën në shesh për 6 muaj dhe rrëzuan qeverinë.
Megjithatë kjo është një thikë pas shpine ndaj reformës në drejtësi, ku ne përmes një strukture ngrejmë një komision për këtë refoirmë dhe mbas disa viteve në bëjmë një ligj për të amnistuar pikërisht ato që ka vendosur ai komision i reformës në drejtësi dhe ata persona dhe zyrtarë të lartë të korruptuar dhe të dënuar për vjedhje dhe abuzim me pasuritë e këtij vendi dhe me detyrën.
Pra ne nxjerrim një ligj për të amnistuar Safet Gjicin për shembull, Bllakon apo edhe personazhe të tjerë të aferës së incineratorëve me këtë ligj dhe ata të gëzojnë edhe lekët që kanë marrë nga kjo vjedhje e hapur që quhet korrupsion”, theksoi ndër të tjera gazetari Lavdrim Lita.
Gazeta Sot