“PS po shkon drejt shkërmoqjes”. – Nazarko nxjerr prapaskenat dhe bën paralajmërimin e fortë
13 Qershor 2022
Nazarko deklaroi se kjo mënyrë drejtimi e Edi Ramës tregon se pas rënies së tij, nuk ka për të pasur PS ashtu siç nuk ka sot Parti Demokratike.
Analisti Shpëtim Nazarko, festën e 31-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, e cilëson si një ceremoni të thjeshtë me një aktivitet pothuajse të kufizuar.
Si diçka të re ai cilëson praninë e Agron Dukës nga Partia Agrare Ambientaliste dhe të dy deputetëve të LSI, por thotë se ndonëse u komentua si afrim, nuk e beson si të tillë.
Ai tha se si Partia Socialiste edhe Partia Demokratike janë kopje e njëra tjetrës, por se origjinali është PS.
Lidhur me arrestimin në Itali me kokainë të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, Nazarko u shpreh pjesërisht dakord me deklaratën e Edi Ramës që çdo njeri mban përgjegjësinë individuale.
“Por këto kanë një raport të caktuar. Se kur bëhen me shumicë, këto përbëjnë një vijë, një frymë. Megjithëse PS është parti tradicionale që ka mbajtur radhët e veta, po shkon drejt shkërmoqjes.
Mënyra si po qeveris, i rri ngushtë kësaj qeverie. Duhet të qeverisë në bazë të një historie tradicionale. Përgjegjësia bie mbi kryetarin, natyrisht që nuk bën dot biografi, por tregon se nuk mund të mbështetesh më te PS konservatore dhe ti zëvendësosh njerëzit e shkencës me tregtarë apo me ata që kanë para në xhepa.
Unë vij nga persekucioni dhe mora anën e profesorëve të PS, Rexhep Mejdani, Xhevat Lloshi, Petrit Ruka, kjo në pikëpamjen intelektuale. Kjo linjë duhet të jetë e detyrueshme dhe sot, përpos faktit që PS është parti e vetme në Shqipëri dhe PD është kopje e saj, si front anti-komunist laraman shumëngjyrësh, PS ka hequr dorë nga kjo traditë.
Një parti që udhëheq vendin, duhet më shumë se sa kurrë ti besojmë një partie që në grup ka profesorë ose shkencëtarë, ose njerëz të ndritur që udhëheqin kupolën.
Megjithëse Rama mund të quhet Kryeministri më i mirë e periudhës së fundit. Ai hoqi një pjesë të kalbur të asaj PS që prodhoi dogana dhe parazitë, por zëvendësoi profesorë me grupin e biznesit që i quaj të dëmshëm se ata nuk kontribuojnë dot, pasi nuk janë ndihmesë për të ndërtuar strategji kombëtare, institute kombëtare, të gjitha këto janë centruar në dorën e Ramës, që pavarësisht një kulture, nuk mund të zëvendësojë formën me përmbajtjen e shtetit.
PS më shumë se partitë e tjera, i del detyrë ta zëvendësojë me urgjencë këtë dobësi. Ka nga këta kriminelë në bandën e të akuzuarve në çdo vend. Më shqetëson që brenda PS nuk ka nukle të mëdha që të marrin pjesë në hartimin e strategjive ekonomike.
PS si parti udhëheqëse duhet të ketë nukle të mëdha të tipit profesional që të vendosë themelet e një strategjie kombëtare, kjo është parti shtet le të jetë se me vota i ka fituar.
Por nuk lejohet që nga mëngjesi deri në darkë, si në kohën e Enver Hoxhës, të shohësh sekretar partie si në vitet ‘60-të.
Është grupi udhëheqës i PS, vetëm Rama shikohet. Edhe në kohërat e arta të raporteve me të i kam thënë që betejat e mëdha i bëjnë bataljonet e mëdha, nuk i bën dot i vetëm.”, tha Nazarko.
Sipas tij, për shkak se ka ngelur Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk ekziston, quhet parti-shtet.
Nazarko deklaroi se kjo mënyrë drejtimi e Edi Ramës tregon se pas rënies së tij, nuk ka për të pasur PS ashtu siç nuk ka sot Parti Demokratike.
Gazeta Sot