Pse bota rrezikon Luftën III Botërore?
Pse bota rrezikon Luftën III Botërore?
24 PRILL 2022
Në një intervistë për gazetën italiane ”Il Giornale”, analisti Alessandro Politi, drejtor i Fondacionit të Mbrojtjes së NATO-s, e vetmja qendër kërkimore joqeveritare e lidhur drejtpërdrejt me aleancën, shpjegon arsyen pse anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në paktin atlantik, nuk do të jetë aq i afërt, dhe vetëm në verë do të kuptojmë se cila do të jetë formula më e mirë për anëtarësimin e tyre të mundshëm. Politi paralajmëron se rreziku i vërtetë i një luftë të re botërore nuk vjen dhe aq shumë Rusia, sesa nga tensionet midis Kinës dhe SHBA-së në rajonin e Paqësorit.
Pse Ukraina dje, dhe Suedia dhe Finlanda sot, duan të anëtarësohen në NATO?
Ukraina u ftua në vitin 2008. Por më pas për arsye të qarta, u kuptua që ftesa nuk do të pasohej nga anëtarësimi, pasi kjo do të shkaktonte probleme me Rusinë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedisë dhe Finlandës, dy vende që kanë qenë neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, mendojnë se neutraliteti nuk mjafton për të garantuar sigurinë e tyre. Të gjitha këto vende neutrale, përfshirë Serbinë dhe Zvicrën, janë partnerë të NATO-s dhe si të tilla, nuk mbrohen nga Neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s.
A janë reale kërcënimet e Rusisë ndaj tyre?
Rusët u thanë qartë suedezëve dhe finlandezëve: “Bëni zgjedhjen që dëshironi, por mos harroni se nëse bëheni anëtarë të NATO-s, ne duhet të forcojmë mbrojtjen tonë në kufijtë që kemi me ju dhe në Detin Baltik”. Dhe kjo përfshin një vendosje të mundshme të armëve bërthamore në përmasa që nuk ishin menduar më parë.
Por ky është më shumë një gjest politik sesa operacional, pasi sot rusët i kanë në gatishmëri armët bërthamore për ta goditur Suedinë dhe Finlandën. Prandaj e shoh të pamundur që konflikti të përhapet në këto vende, edhe sepse makineria ushtarake ruse po del shumë e dëmtuar nga aventura e fundit në Ukrainë.
Pse Rusia ka frikë nga Suedia dhe Finlanda, dy vende zakonisht paqësore?
Rusët nuk kanë probleme me këto dy vende skandinave në vetvete, por me NATO-n. Mos harroni se Aleanca Atlantike, në të cilën duan të anëtarësohen Suedia dhe Finlanda, është superiore ndaj Rusisë sa i përket shpenzimeve dhe fuqisë ushtarake, me përjashtim të armëve bërthamore. Nuk është si në kohën e Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Traktatit të Varshavës kishin një forcë konvencionale më të madhe se ajo e NATO-s. Sot ky bilanc forcash është përmbysur.
Po pse Rusia ka kaq shumë frikë nga NATO-ja, nëse vendet e aleancës nuk e kanë sulmuar asnjëherë drejtpërdrejt tokën ruse?
Gazeta Shqip