Pse duhet mbështetur Foltorja dhe ndryshimi që vjen nga lëvizja e Sali Berishës.

Gazeta BOTA SOT, Prishtine

13 DHJETOR 2021

Ka jo pak shqiptarë në Shqipëri, por dhe në Kosovë e gjetkë, të cilët e shohin me skepticizëm foltoren e Doktor Berishës. Natyrisht që është e natyrshme të shprehen rezerva për foltoren, sepse tashmë propaganda kundër saj ka përmasat gjigande të shpifjes, trillimit dhe ligësisë njerëzore. Sipas Schopenhaur-t morali shoqëror ka dy anë: Keqardhjen dhe ligësinë. Mbi bazën e këtyre dy elementëve ndërtohet gjithë piramida e veprimtarisë njerëzore. Gjendja natyrore e njeriut, sipas John Locke, ka nevojë të sistemohet përmes një kontrate me qytetarin përmes ligjit, rregullit, normave morale të sjelljes dhe raporteve ndërnjerëzore.

Por si në gjendjen natyrore edhe në gjendjen e ekzistencës së sistemit politik e të shtetit, nuk ndryshon ligjësia, sipas së cilës natyra njerëzore përballet me dy kategoritë që përmend Schopenhauer, keqardhja ose humanizmi dhe ligësia ose dhuna ndaj tjetrit. Fatkeqësisht politika shqiptare, sidomos në Shqipëri, është e ndarë dhe në konflikt kaq të hapur, sepse përballen midis tyre pikërisht këto dy kategori. Ligësia po e mposht dita-ditës keqardhjen, të drejtën, e të mirën. Ligësia ka mbërthyer për gryke një pjesë të politikës dhe po ia merr frymën edhe atdheut.

Në kushtet e ligësisë në sistem të përfaqësuar nga qeveria e Tiranës, njerëzit po e shohin Foltoren si të vetmen dritë në fund të tunelit, si të vetmen shpresë për ta mundur të keqen. Nëse nuk ndodh kjo edhe kësaj radhe, atëherë mund të pritet pa frikë që ligësia dhe keqardhja të shkojnë deri në përplasje të një lloj konflikti të ngjashëm me luftën civile. Në raportin e ligësisë dhe keqardhjes sot për sot ka fituar terren ligësia. Madje deri te cenimi i integritetit territorial. Ligësia tashmë ka shpallë luftë me keqardhjen edhe për territore. Kjo gjendje është e frikshme.

Kontrata midis qytetarit dhe pushtetarit te ne ka marrë fund në çdo kuptim. Tashmë asnjë qytetar nuk shpreson që ta realizojë vetveten përmes keqardhjes, respektit ndaj tjetrit. Secili është ujk dhe tigër në territorin e vet, ne strofullën e tij. E gjitha kjo për shkak se vetë politika në qeverisje e një pjesë e asaj në opozitë janë bërë bashkë në ligësi dhe intrigë. Foltorja e Doktor Berishës ka rikthyer një lloj shprese. Një shpresë të imponuar, do ta quaja unë.

Me foltoren nuk lidhet interesi i Sali Berishës. Ai interes është kaq minor, krahasuar me interesat e mëdha të kombit tonë. Me foltoren lidhet para së gjithash interesi kombëtar. Foltorja dhe grupimi i njerëzve që besojnë te keqardhja për gjendjen e krijuar nga të ligjtë janë shpresë edhe për ndërprerjen e lidhjeve anti-Kosovë e anti-shqiptare të qeverisë së Tiranës me Beogradin dhe Serbinë. Kjo është emergjenca jonë kombëtare. Kjo ka të bëjë me të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë. Foltorja dhe Partia Demokratike pa Lulzim Bashën mund ta realizojë këtë objektiv.

Pse them pa Lulzim Bashën? Sepse Lulzim Basha nuk është kundër Open Balkan. Dhe nuk mund të jetë kundër kësaj nisme serbe, sepse kumbar i saj është George Soros, i cili gjatë dy dekadave hodhi rrënjë edhe te Partia Demokratike e Shqipërisë. Foltorja rikthen në vëmendjen e politikës shqiptare çështjen e interesit tonë kombëtar e për pasojë rikthen harmoninë dhe ekuilibrin politik në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare.

Prej 8-9 vitesh nuk pati asnjë rast tjetër që shqiptarët të ishin kaq optimistë për ndryshimin e madh shqiptar e kombëtar, sa në rastin e Foltores. Ishte revolta e studentëve ajo që para katër vitesh ngjalli një lloj shprese, por që mori fund si flakë kashte për shkak të ligësisë së pushtetit. Deri më sot nuk ka pasur Shqipëria ndonjë lëvizje tjetër kaq të fuqishme sa të përballojë intrigën e qeverisë shqiptare. Kjo gjithashtu falë Sali Berishës, integritetit dhe dinjitetit të tij njerëzor dhe politik. Deri më sot nuk ka mundur asnjë person tjetër të sfidojë ligësinë anti-kombëtare të vetë ne shqiptarëve si dhe sa Sali Berisha. Prandaj çdo anatemë dhe diskutim për moshën ose të kaluarën e tij është produkt i propagandës së egër të armiqve të tij politikë brenda e jashtë shqiptare. Dhe me një qëllim të vetëm, t’i hapin rrugë ligësisë dhe intrigës në kurriz të kombit tonë, deri te ndryshimi i territoreve, proces që nis me krijimin e Asociacionit Serb në Kosovë!

Ata shqiptarë që përpiqen të gjejnë faje dhe gabime të Sali Berishës gjatë qeverisjes së tij, duke mbuluar me thes të zi arritjet e pakontestueshme të tij, këta pra, nuk bëjnë tjetër, veçse ndihmojnë projektet e Beogradit kundër Kosovës. Mjaftueshëm është kjo arsyeja pse duhet mbështetur Foltorja dhe Sali Berisha. Edhe sikur përkohshëm ta ndalojë agresionin dhe diversionin serb në Shqipëri, Kosovë e hapësirat shqiptare në Ballkan, ia vlen ta përkrahësh lëvizjen e re demokratike në Shqipëri! Paragjykimet, hezitimet, skepticizmi çon në fuqizimin e aktorëve dhe faktorëve anti-shqiptarë e sidomos të atyre anti-Kosovë.

Do ishte një mrekulli, nëse idetë e Sali Berishës të silleshin në jetën tonë politike përmes një energjie të re. Por kjo nuk u prodhua në këto tetë vite të qeverisjes kriminale të Rilindjes. Nuk ndodhi për shkak të ndërhyrjeve dhe manipulimit të çdo proteste nga ana e Edi Ramës. Madje edhe të protestave që ndezi dhe i shoi si me komandë Lulzim Basha! Njerëzit duan ndryshimin e madh, një ndryshim politik, social e kombëtar. Shqiptarëve në rajon ju intereson para së gjithash ndryshimi ndaj qasjes kombëtare dhe interesave të shqiptarëve. Foltorja sot për sot është e vetmja garanci për këtë! Prandaj duhet mbështetur Sali Berisha dhe lëvizja e tij edhe nga skeptikët, të lëkundurit dhe njerëzit indiferentë!

Autor Enver Bytyci