17 Korrik 2024

Për të kuptuar pse njerëzit plaken, nuk duhet të vështrohen zakonet e sotme, por ato të gjysmëshekulli më parë, kur njerëzit hanin “ushqim fshati”, të mbizotëruar nga drithërat, fasulet dhe zhardhokët.

Calle de Jordán, një rrugë e shkurtër në qendër të Madridit, reflekton të gjithë ciklin e jetës njerëzore. Në një bllok ndodhet një klinikë fertiliteti. Këto po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në një shtet si Spanja që vuan nga mungesa e lindjeve.

Një bllok më poshtë, ndodhet një qendër ditore për pensionistët, me shërbime reklamuese si stërvitja e kujtesës dhe ndihmë me lëvizshmërinë fizike. Është e zakonshme të shohësh gra në të 60-at që përcjellin me kujdes nënat e tyre 90-vjeçare deri te dera.

Instituti për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit publikoi së fundmi parashikimet për jetëgjatësinë sipas shteteve, deri në vitin 2050. Ndër 20 vendet më të mira për të jetuar deri në një moshë të pjekur, janë shtete të pasura si Zvicra dhe Singapori. Nga Azia Lindore, ka edhe shtete si Koreja e Jugut dhe Japonia, të njohura për njerëz që jetojnë gjatë.

Spanja, Italia, Franca dhe Portugalia

Por një grup vendesh relativisht më pak të pasura janë gjithashtu të njohura për jetëgjatësinë e popullsisë: Spanja, Italia, Franca dhe Portugalia. (Tre mikroshtetet aty pranë, San Marino, Malta dhe Andorra, bëjnë pjesë gjithashtu në 20 shtetet e para).

Personi më i moshuar në botë është një grua spanjolle, Maria Branyas Morera (117 vjeçe), e cila pasoi një franceze. Shëndeti dhe jeta e gjatë sigurisht që lidhen ngushtë me PBB-në për frymë.

Atëherë pse Europa Jugore e tejkalon lidhjen e zakonshme midis pasurisë dhe shëndetit, duke bërë që jetëgjatësia mesatare në Spanjë (85.5 vjet në 2050), të jetë më e gjatë se në Danimarkë (83.5 vjet)?

Shumë veta vënë në dukje “dietën mesdhetare”: peshk, drithëra, fruta të freskëta, perime dhe vaj ulliri. Sidoqoftë, kritikët theksojnë se dietat ndryshojnë shumë nga Portugalia në Greqi. Për më tepër, studiuesit vërejnë se mesdhetarët e sotëm nuk i përmbahen dietës së tyre.

Sheshet në Spanjë janë të mbushur me njerëz që hanë peshq të skuqur dhe proshuta të kripura, të cilat i shtyjnë me birrë, duke ngrënë deri në orët e vona të natës.

Spanjollët konsumojnë më shumë pije alkoolike dhe duhan se mesatarja europiane dhe janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të kokainës në Europë.

Dan Buettner, i cili ka shkruar disa libra për zonat ku njerëzit jetojnë më gjatë, vë në dukje se për të kuptuar pse njerëzit plaken, nuk duhet të vështrohen zakonet e sotme, por ato të gjysmëshekulli më parë, kur njerëzit hanin “ushqim fshati”, të mbizotëruar nga drithërat, fasulet dhe zhardhokët.

Një studim i kohëve të fundit i “zonës blu” (një emërtim për zonat që kanë shumë njëqindvjeçarë) në Sardenjë, zbuloi se dieta përfshinte “ushqime për urinë”, si buka e prodhuar nga lajthia dhe argjila dhe një djathë i bërë me larva insektesh.

Produkti më i shpeshtë i peshkut ishin vezoret e kripura e të thara të barbunit. Barinjtë rrallëherë hanin peshk të freskët. Dietat sot përfshijnë gjithnjë e më shumë ushqime të përpunuara perëndimore, por “inercia kulturore” i mban ato disi më të shëndetshme, thotë zoti Buettner.

E kaluara e dietës së barinjve nxjerr në pah një faktor tjetër: lëvizjen fizike. Spanjollët kryesojnë Europën Perëndimore me 5,936 hapa të ecur, sipas një studimi të vitit 2017. (Italianët, francezët dhe portugezët ecin më pak.)

Studimi zbuloi se vendet si Amerika dhe Arabia Saudite, me “pabarazi në aktivitete fizike”, pra që kanë disa njerëz që e mbajnë trupin në formë, por një numër shumë më të madh të tjerësh që bëjnë jetë sedentare, kishin normat më të larta të obezitetit. Ato vende ku të gjithë lëviznin në nivele të arsyeshme, si në Spanjë, kishin nivele të ulëta obeziteti. Kjo e ul dukshëm vdekshmërinë nga sëmundjet e lidhura me obezitetin.

Pse lëvizin kaq shumë spanjollët? Qytetet spanjolle, madje edhe ata më të vegjlit, kanë popullsi të dendur.

Nëse dilni jashtë kufijve të qytetit, shpesh do të shihni fshatra të boshatisur. As kultura e popullsisë dhe as ligjet rregullatore, nuk i favorizojnë periferitë e zbrazëta, kështu që edhe pse kanë hapësirë të bollshme, spanjollët jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin.

Parisi dhe vende të tjera që synojnë të krijojnë “qytete 15-minutëshe”, ku shumica e vendeve dhe shërbimeve thelbësore janë të arritshme në këmbë, mund të mësojnë shumë nga Spanja. I njëjti punim që kishte studiuar “pabarazinë e veprimtarisë fizike”, shqyrtoi Amerikën urbane, duke zbuluar se qytetet me popullsi të dendur si Nju Jorku dhe Bostoni, kishin nivele më të ulëta obeziteti sesa vendet me popullsi jo të dendur, si Atlanta dhe Phoenix.

Por përtej dietës dhe stërvitjes fizike, ecja është e mirë edhe për jetën shoqërore. Qytetet e Spanjës kanë sheshe ku miqtë, familjet dhe të afërmit ulen, hanë, pinë dhe bisedojnë. Kjo është më e mirë për shëndetin, edhe nëse do të pinit alkool dhe do të hanit patate të skuqura në mesditë. Studimet tregojnë se kontakti shoqëror është shumë i rëndësishëm për mirëqenien fizike dhe psikologjike të njeriut.

Sipas një sondazhi të fundit nga mbajtur nga Gallup dhe kompania Meta, 76% e spanjollëve thonë se ndihen “shumë” ose “mjaftueshëm” të mbështetur nga shoqëria. Kjo shifër është mbi nivelin mesatar, por jo në krye të tabelës. Jon Clifton, kreu i anketuesit Gallup, thotë se hulumtimet e firmës së tij tregojnë nga ana tjetër se spanjollët janë të pakënaqur dhe të papërqendruar në punë.

Ai thotë se ky tipar i vendit është përmbledhur shumë mirë nga një titull në gazetën spanjolle El País: “Spanja është vendi më i mirë për të jetuar dhe vendi më i keq për të punuar”.

Por puna nuk është gjithçka në jetë. Kur u pyetën nëse janë takuar gjatë javës së kaluar me miq ose të afërm që jetojnë me ta ose pranë tyre, shumë spanjollë u përgjigjën se po dhe Spanja u rendit në vend të katërt për lidhjet familjare dhe miqësore (Greqia u rendit e dyta).

Kjo mund të ketë të bëjë edhe me faktin se shumë europianojugorë të rinj, nuk paguhen aq mirë sa për të pasur mundësinë financiare të largohen nga shtëpia e prindërve. Prandaj lidhjet familjare mbeten të ngushta, përfshirë edhe në kohë të vështira si kriza financiare dhe pandemia.

Vendet e Europës Jugore në fakt nuk renditen si më të lumturat. Këtë titull e kanë mbajtur prej kohësh Danimarka dhe Finlanda. Por lumturia matet më tepër nga kënaqësia afatgjatë e jetës, sesa nga buzëqeshjet dhe të qeshurat e shkurtra. Këto lloj emocionesh të gëzuara i përjetojnë më shpesh amerikanët latinë.

Dhe po të mundoheshim të gjenim një lloj baraspeshe midis Helsinkit dhe Buenos Airesit, ajo baraspeshë do t’i përngjante Spanjës. Sepse ky vend ka nivele europiane të pasurisë dhe kujdesit shëndetësor, dhe njëkohësisht ka edhe tipare kulturore të përbashkëta me amerikanët latinë: si dëshira për të jetuar çastin, vlerësimi i miqve dhe lidhja e ngushtë me familjen. Këto sjellje nuk janë vetëm të mira, por edhe ju zgjasin jetën.

 

Monitor