Pse një fabrikë e vetme në Azi po rrezikon gjithë ekonominë botërore
Pse një fabrikë e vetme në Azi po rrezikon gjithë ekonominë botërore
3 MAJ 2021
Bota është globalizuar dhe këtë na e thonë përditë, e lexojmë, studiojmë dhe e marrim si të mirëqenë.
Nuk mungojnë edhe shembujt konkretë. Aksidenti i anijes gjigante “Ever Given”, që bllokoi për ditë të tëra kanalin e Suezit në Egjipt, dhe me të një pjesë të mirë të tregtisë botërore, pushtoi mediat ndërkombëtare.
Por një ngjarje në Azi e tregon ndoshta edhe më mirë. Kjo, sepse një ndërthurje faktorësh në një fabrikë të Tajvanit, rrezikon seriozisht të paralizojë prodhimin e industrisë automobilistike dhe të pajisjeve teknologjike në të gjithë botën.
Markat më të njohura në këto sektorë të larmishëm, mund të kenë selitë e tyre qendrore ose zinxhirin e prodhimit në SHBA, Gjermani, Japoni ose në Korenë e Veriut, por shumë pak e dinë që pothuajse të gjithë këto gjigantë të industrisë e kanë një të përbashkët.
Rreth 80% e çipave të këtyre markave, elementë aq të vegjël por teknologjikisht të avancuar dhe të domosdoshëm për funksionimin e aparaturave, prodhohet pikërisht në një fabrikë në Tajvan. Jo një fabrikë normale, por me dimensione gjigante, që punëson dhjetëra mijëra punonjës, me vlerë 450 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për Taiwan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC), e cila për të paktën tre arsyeje të ndryshme po shndërron ëndrrat e industrisë botërore në makthe.
Arsyeja e parë vjen nga lufta tregtare SHBA-Kinë, që ka penalizuar së tepërmi teknologjinë kineze dhe veçanërisht Huawei, pikërisht një nga klientët më të mëdhenj të TSMC.
Arsyeja e dytë është teknike, pothuajse meteorologjike. TSMC për të mbetur në gjendje pune ka nevojë për rreth 156 mijë tonelata ujë në ditë, si të thuash 60 pishina olimpike. Por ishulli që ende deklarohet nga Pekini si pjesë përbërëse e saj, por që është e pavarur praktikisht nga viti 1945, po vuan gjatë këtij viti nga një thatësi e madhe, që detyron furnizimin me kamionë të industrisë.
Arsyen tjetër e dimë të gjithë, dhe është shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, që tkurri prodhimin global dhe vështirësoi logjistikën.
Pasojat do të jenë konkrete, të kapshme nga të gjithë. Kompani teknologjike si Apple, Sony, Samsung, Microsoft, Huawei por edhe të automobilizmit si Volkswagen, Toyota dhe të tjerë, kanë deklaruar se do të spostojnë të paktën një vit lançimin e disa nga produktet e tyre të reja.
Samsung po mendon të mos hedhë në treg modelin e Galaxy Note 21 përpara vitit 2022, ndërkohë që miti britanik Jaguar për këtë arsye do të mbyllë dy fabrikat e saj në Britaninë e Madhe, dhe shembulli i tyre po ndiqet nga Toyota dhe Ford. TSMC ka zyrtarizuar faktin që do të ndërtojë një fabrikë të dytë në SHBA, për të shmangur surprizat e pakëndshme dhe konjukturat globale, por kjo do të kërkoj kohë. Një kohë që bota e globalizuar nuk ka./a2cnn
Nga Gazeta Shqip