Pse po deportohen kaq shumë shqiptarë nga Gjermania/ Shifrat na nxjerrin të dytët pas gjeorgjianëve

– 10.02.22

Këto të dhëna janë bërë publike nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, sipas të cilës në krye të listës së të dëbuarve nga vendi, janë edhe shumë kriminelë dhe persona të rrezikshëm.

Edhe pse numri i të dëbuarve është më i lartë se sa në vitin e parë të pandemisë, ky numër është rritur dukshëm në krahasim me vitet e kaluara, e lidhur kjo edhe me fluksin e madh e gjithmonë e shumë në rritje të shtetasve shqiptarë, të cilët duke shfrytëzuar hapësirën Shengen, hyjnë në territorin gjerman për të gjetur ndonjë vend pune e për tu instaluar për disa kohë aty.

Më shumë se 30 mijë shqiptarë ndodhen aktualisht në kampet e refugjatëve në Gjermani, në pritje të një përgjigjeje për kërkesat e tyre të azilit. Fluksi më i madh i të larguarve është shënuar në muajt e verës, kur mijëra shqiptarë injoruan thirrjet dekurajuese të autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane, duke mos hequr dorë nga mundësitë minimale për të fituar azil.

POR, SI KEMI ARRITUR DERI NË KËTË PIKË?

Shqipëria vijon të renditet krahas Sirisë sa i përket numrit të azilkërkuesve ndërsa tashmë pritet që azilkërkuesit shqiptarë të preken edhe nga plani i ritadhesimit.

Rritja e ndjeshme e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, ka bërë që ky shtet të marrë masat përsa i përket evidentimit dhe më pas përgatitjes së procedurave të kthimit të tyre mbrapsht për në Shqipëri.

Referuar shifrave zyrtare të dikasterit të punëve të brendshme gjermane, vetëm gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 11.982 dëbime nga Gjermania, më shumë se vitin e kaluar (10.800 vetë), kur trafiku ndërkombëtar ajror ishte më i prekur nga kufizimet e Koronavirusit, por shumë më pak se vitet e kaluara. Për krahasim në vitin 2019, Gjermania dëboi 22.100 vetë.

Sipas njoftimit të Ministrisë Federale shumica e dëbimeve janë kryer me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë, përkatësisht 1.116 vetë janë dëbuar në Gjeorgji, dhe 908 vetë në Shqipëri.

Ndërkohë, edhe në Kosovë e Turqi ka pasur dëbime. Rreth 400 vetë janë dëbuar në këto dy vende vitin e kaluar. Tek vendet e destinacionit për dëbime edhe vitin e kaluar u renditën Serbia, Pakistani, Moldavia dhe Rumania.

SHQIPTARËT, TË PARËT QË E MARRIN NDIHMËN GJERMANE TË KTHIMIT:

Që nga viti 2014, Gjermania ka vënë në zbatim një metodë të re dhe efektive për rikthimin e emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilën e ka quajtur ‘ndihmë financiare të kthimit’. Që nga ajo kohë, këtë ndihmë e kanë marrë atë më shumë se 100.000 vetë.

Por sipas përgjigjes së qeverisë gjermane ndaj kërkesës së grupit parlamentar liberal, FDP në Bundestag afër 2% e tyre rikthehen sërish në Gjermani.

Shqiptarët renditen të parët tek ata që e marrin ndihmën gjermane të kthimit, i ashtuquajturi program i federatës dhe landeve për rintegrimin, me 1345 vetë. Serbët po ashtu, 1088 renditen ndër ata që e pranojnë më shpesh këtë ndihmë. Por edhe shumë azilkërkues të refuzuar nga Gjeorgjia, Rusia,

Maqedonia veriore dhe Iraku e marrin ndihmën e kthimit. Më pak ky program është përdorur nga azilkërkues të refuzuar nga Afganistani dhe Turqia.

Por parimisht një azilkërkues mund të marrë vetëm 1 herë ndihmë në para nga programi i ndihmës. Kush e merr këtë ndihmë dhe pastaj kthehet sërish në Gjermani duhet ta rikthejë atë. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane janë rikthyer 83.000 euro.

Një pjesë tjetër e azilkërkuesve janë rikthyer në të njëjtën kohë, për shkak të bashkimit familjar, studimit apo për punë në Gjermani.

DOKUMENTARI GJERMAN QË TREGON MËNYRËN Ç’NJERËZORE TË PËRZËNIES SË SHQIPTARËVE:

Në një dokumentar gjerman tregohet sesi dëbohen azilërkuesit shqiptarë nga Gjermania.

“Ata vijnë natën, i zgjojnë nga gjumi dhe i vendosin në një aeroplan. Komandot speciale të policisë dhe të autoriteteve për të huajt gjatë vitit 2016 kanë dëbuar nga Gjermania 22 mijë azilkërkues shqiptarë.”

Kështu nis dokumentari “Deportation Class”, prodhimi gjerman që i ka dedikuar 1 orë e 30 minuta historisë së dëbimit të shqiptarëve nga Gjermania.

“Deportation Class” fokuson objektivin në mënyrën se si janë dëbuar shqiptarët azilkërkues nga Gjermania përmes një plani të detajuar: që nga planifikimi i dëbimit kolektiv, mbërritja në mes të natës në banesat e tyre e deri tek ardhja në vendin e origjinës, në Shqipëri.

Dy regjisorët gjermanë, Carsten Rau dhe Hauke Wendler kanë ndjekur nga afër dëbimin kolektiv që i është bërë shqiptarëve në Mecklenburg-Vorpommern . Edhe më herët, ata kanë qenë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni, pasi dy vite më parë dokumentuan në filmin e tyre “Ëillkommen auf Deutsch” se si Gjermania reagoi ndaj të sapoardhurve.

Gazeta Shqiptare