Pse po shkon kryeministri Hoti në bisedimet e Brukselit dhe jo presidenti? Reagon zëdhënësi i BE-së
Pse po shkon kryeministri Hoti në bisedimet e Brukselit dhe jo presidenti? Reagon zëdhënësi i BE-së
7 KORRIK 2020
Bashkimi Evropian do të jetë nikoqir i rikthimit të bisedimeve Kosovë – Serbi, pas dështimit të takimit në Washington, që erdhi si rrjedhojë e propozim-aktakuzës së Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi.
Kësaj here në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi nuk do të përballen në nivel presidentësh, pasi që Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti derisa Serbinë presidenti Aleksandër Vuçiq.
Në BE të pyetur nga Gazeta Express nuk e ndërlidhin përfaqësimin e kreut të ekzekutivit në dialog me propozim-aktakuzën që i është bërë nga Specialja presidentit Hashim Thaçi.
Ata nuk komentojnë nëse pas kësaj propozim-aktakuze e shohin Thaçin si legjitim për të përfaqësuar shtetin në bisedime, megjithatë, shtojnë se janë vetë shtetet që kanë caktuar përfaqësuesit e tyre.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ata nuk i zgjedhin bashkëbiseduesit e tyre, e se varet nga të dy shtetet që të zgjedhin kush i përfaqëson në dialog e kush do të jetë pjesë e delegacionit.
“Më shumë informacione për takimin e të dielës do të bëhen publike së shpejti. Ndërsa, sa i përket përfaqësuesve, Bashkimi Evropian nuk i zgjedh bashkëbiseduesit e saj. Varet nga Kosova dhe Serbia që të vendosin se kush do t’i përfaqësojë në dialog dhe kush do të jetë pjesë e delegacionit të tyre”, ka thënë Stano për Express.
Ky pritet të jetë takimi i parë në mes të dyja shteteve pas gati dy vitesh prej kur dialogu është pezulluar si pasojë e taksës së vendosur nga ish-qeveria në krye me Ramush Haradinajn, që kishte ardhur si rrjedhojë e fushatës së Serbisë për heqjen e njohjes së Kosovës.
BE-ja ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të jetë udhëheqës i takimit, derisa i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Gazeta Sot