Pse Shqipëria ‘hoqi Frangën në vitin 1947 dhe vendosi Lekun si njësi monetare?
11 Prill 2023
Nga Kreshnik KUÇAJ
Rruga për në Moskë, kalon nga Beogradi!
Kjo shprehje qarkullonte shumë nëpër Ballkan, në mesin e viteve ’40 kur sapo kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Kjo shprehje nënkuptonte se pika e kontaktit të një prej superfuqive më të mëdha botërore, Bashkimit Sovjetik, ishte Jugosllavia e drejtuar nga një marshall, Josif Broz Tito.
Nisja e konfliktit mes Titos dhe Stalinit i detyroi vendet e tjera të Ballkanit që të pozicionoheshin.
E në këtë betejë, Shqipëria mbajti anën e Stalinit, duke eleminuar një projekt të Jugosllavisë, që e skiconte Shqipërinë, si Federatë të 7-të të Republikës Jugosllave.
Ky proces distancimi mes dy vendeve të afërta, do të ishte i dhimshëm, i shoqëruar nga një shah politik, ku ushtarët dilnin nga fusha e lojës përmes ekzekutimit…
Vendi i parë me të cilin Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore ishte Jugosllavia. Regjimi i ri jugosllav e njohu regjimin e Tiranës më 28 prill 1945. Në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, me një përvojë bashkëpunimi që gjatë periudhës së luftës ku ishte vendosur një mision ushtarak jugosllav.
Po ashtu, komunistët jugosllavë konsiderohen si faktor i rëndësishëm në krijimin e Partisë Komuniste shqiptare që do të merrte pushtetin. Ajo që duhet evidentuar është se Jugosllavia nuk ishte Serbia, edhe pse Beogradi ishte qendra e pushtetit.
Tito si drejtues i Jugosllavisë, ishte kroat me origjinë dhe sa ishte në pushtet, arriti të mbante nën kontroll të gjitha rrymat e grupimet që përbënin federatën e drejtuar prej tij.
Gjatë pushtetit të tij, Tito arriti të mbante larg nacionalizmin serb, pasi interesat e tij politikisht ishin të ndryshme dhe më të mëdha sesa ato që përfaqësonte republika serbe apo doktrinat që qarkullonin ato kohë. Në periudhën ‘45-‘48 marrëdhëniet mes dy vendeve njohën bashkëpunim.
Gjatë këtyre viteve, Shqipëria u konsiderua si një satelit i Jugosllavisë. Në periudhën 23 qershor-2 korrik 1946 kryeministri Enver Hoxha zhvilloi vizitë në Beograd, i shoqëruar nga 10 personalitete shqiptare të kohës, por gjatë kësaj vizite shmangu Kosovën.
Në korrik të vitit 1946, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi. Traktati u pasua nga një seri marrëveshjesh teknike dhe ekonomike që synonin integrimin e ekonomive shqiptare dhe jugosllave.
Paktet siguruan koordinimin e planeve ekonomike,unifikimin doganor, standardizimin e sistemeve monetare dhe krijimin e një sistemi të përbashkët çmimesh.
Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e shtetit shqiptar. Në Shqipëri nuk mungonin as reagimet kundër këtij bashkëpunimi, ashtu sikurse edhe mediat e huaja që nuk ngurruan që ta cilësojnë këtë marrëveshje si projekt skllavërimi për Shqipërinë.
Gazetat turke e franceze e cilësuan këtë marrëveshje si të ngjashme me politikat e Musolinit në Itali apo si një nisje të planit të marshallit Josip Broz Tito për dominimin e Ballkanit.
E në fakt, Tito, një personazh atipik i politikës së Ballkanit kishte ambicie për të qenë një lojtar i dorës së parë në politikën botërore.
Kjo “lojë” e Titos do të sillte më pas edhe përkeqësimin e marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik e si rrjedhojë do të krijonte edhe mundësinë që Shqipëria t’i shmangej projektit që e parashikonte vendin si republikë të Jugosllavisë.
Prishja e marrëdhënieve
Prishja e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë solli edhe prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Në vitin 1948 Bashkimi Sovjetik përjashton Jugosllavët nga “Kominformi” dhe në këtë moment, Shqipëria nga vend satelit i Jugosllavisë arriti të siguronte kontaktin dhe mbështetjen direkte të qendrës së drejtuar nga Stalini, duke arritur të siguronte nga ky i fundit edhe zëvëndësimin e mbështetjes ekonomike të humbur nga jugosllavia.
Sovjetikët dhanë ndihmë ekonomike dhe ushqimore duke mbuluar nevojat dhe mungesat e shkaktuara nga ndërprerja e ndihmës jugosllave.
Gjithashtu ata i ofruan regjimit të Hoxhës mbrojtje ushtarake kundër Jugosllavisë fqinje dhe kundër Perëndimit në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.
Për arsye se Shqipëria nuk ishte në kufi me Bashkimin Sovjetik, rreziku i pushtimit ishte i vogël dhe udhëheqja komuniste shqiptare ishte shumë e përqendruar në ruajtjen e pavarësisë formale të vendit.
E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës.Në këtë moment, nis ngrica në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit.
Qeveria komuniste shqiptare pati një luftë të brendshme në vitin 1948, që përfundoi me ekzekutimin e një pjese të madhe të byrosë politike, e cila u akuzua si pro-jugosllave.
“Joint Venture” Shqipëri-Jugosllavi
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u konkretizua me nënshkrimin e përbashkët të një konvente ekonomike mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 1946 dhe ndër të tjera, ajo parashikonte krijimin, në tokën shqiptare, të shoqërive ekonomike të përbashkëta të cilat do të vepronin si shoqëri aksionare, me pronësi shqiptare dhe jugosllave.
Në bazë të kësaj marrëveshje u parashikua krijimi i 6 shoqërive: Shoqëria për Ndërtimin dhe Shfrytëzimin e Hekurudhave, Shoqëria për Nxjerrjen dhe Prodhimin e Naftës, Shoqëria për Zbulimin e Shfrytëzimin e Mineraleve dhe Përdorimin e Metaleve, Shoqëria për Elektrifikimin dhe Shfrytëzimin e Energjisë Elektrike, Shoqëria për Lundrimin Detar, Shoqëria Tregtare e Importit dhe e Eksportit si dhe Banka Shqiptaro-Jugosllave.
Sipas marrëveshjes, shoqëritë do të organizoheshin mbi bazë barazie në krijimin e fondeve themelore e xhiruese, në përbërjen e këshillave administrative dhe në ushtrimin e veprimtarisë së tyre ekonomike për një periudhë kohe 30 vjeçare. Pala shqiptare do të merrte pjesë në këto shoqëri me ndërmarrjet që ekzistonin, me ato që po krijoheshin, me tokat, pyjet, ndërtesat e instalimet e ndryshme. Pala jugosllave, kuotën e saj do të plotësonte me furnizimin e pajisjeve e të makinerive, të materialeve të ndryshme etj. Në marrëveshjen mbi krijmin e shoqërive aksionare u parashikua që ato të gëzonin gjendjen juridike shqiptare dhe te vepronin sipas ligjeve të Shqipërisë.
Dy studiuesit që kanë analizuar këtë periudhë Iljaz Fishta e Veniamin Toçi evidentojnë se “duke përfunduar marreveshjen për krijimin e shoqërive të përbashkëta, qeveria shqiptare u nis nga qëllimi që të zbuloheshin e të shfrytëzoheshin sa më gjerë në dobi të zhvilimit ekonomik, burimet natyrore të vendit”
Ndërkohë, ata mbajnë qendrimin se udhëheqja jugosllave kishte në fakt një qëllim tjetër, e për këtë arsye, bashkëpunimi nuk funksionoi e kompanitë e përbashkëta rezultuan të dështuara.
Shoqëritë e përbashkëta u krijuan me fillimin e vitit 1947. Praktikisht shoqëritë filluan veprimtarinë e tyre kryesisht me ato fonde themelore dhe mjete që kishte vënë pala shqiptare.
Në bazë të marrëveshjeve e të protokolleve qeveria jugosllave duhej të investonte në vitin 1947 për shoqëritë e përbashkëta një shumë prej 600 milion lekësh, kryesisht makineri e pajisje.
Këto investime nuk u realizuan. Edhe ato pak fonde që u dhëna ishin kryesisht mallra konsumi të cilat pasi u shitën në rrjetin e tregtisë me pakicë u derdhën në bankë nga fundi i vitit 1947. Shoqëritë e përbashkëta praktikisht u financuan nga buxheti i shtetit shqiptar.
Kompania shqiptaro-jugosllave për naftën
Në bazës të një marrëveshje të muajit nëntor 1946 u krijua Shoqëria e Përbashkët për Kërkimin e Shfrytëzimin e Naftës. Objekti i veprimtarisë së saj ishte kërkimi dhe zbulimi I naftës dhe I gazit në vendin tonë, shfrytëzimi industrial i burimeve të naftës, të gazit dhe të bitumit si dhe përpunimi i tyre.
Pala jugosllave duhej të kontribuonte me para, me makineri e me ndihmë teknike për të zgjeruar kërkimet, për të shtuar prodhimin e për të ngritur e përsosur instalimet e nevojshme për shfrytëzimin e përpunimin të naftës në vend.
Studiuesit e njohur Fishta dhe Toçi, evidentojnë se qeveria jugosllave nuk e derdhi sasinë e parave e as nuk dërgoi sasinë e materialeve që ishin parashikuar në planet e vitit 1947 dhe 1948. Studiuesit e njohur kanë dalë në konkluzionet se materialet e dërguara kanë përfaqësuar vetëm 15 përqind të parashikimeve për vitin 1947 dhe 3.74 për qind të parashikimeve të planit të vitit 1948.
Bashkëpunimi në këtë kompani do të shoqërohej jo pak nga përplasje, të cilat do të kulmonin me përkujtesa e deklarata të shumta ku kërkohej që palës së huaj t’i tërhiqej vëmendja për mospërmbushjen e detyrimeve, për mosdhënien e fondeve për investime të parashikuara dhe për mosfurnizimin e materialeve sikurse parashikohej në marrëveshjen fillestare.
Për shkak se pala jugosllave nuk bëri investimet që i takonin, nuk furnizoi makineritë e materialet e parashikuara në plan dhe për shkak se specialistët jugosllavë u konsideruan si sabotatorë. E puna kërkimore në këto vite, ashtu sikurse edhe nxjerrja e naftës, u përballen me mosrealizime. Plani i vitit 1947 dhe 1948 për nxjerrjen e naftës nga vendburimi i Kuçovës, ai i Selenicës dhe ai i Patosit nuk u realizua dhe pati një deficit të thellë.
Kompania shqiptaro-jugosllave për mineralet
Një shoqëri tjetër e përbashkët e krijuar me një marrëveshje po të muajit nëntor 1946 ishte Shoqëria për Kërkimin e Shfrytëzimin e Mineraleve. Objekt i veprimtarisë së shoqërisë ishte kërkimi dhe shfrytëzimi i pasurive të nëntokës shqiptare: mineralet, qymyrguri, lëndët e para me origjinë minerale për industrinë kimike etj.
Për këtë qëllim shoqëria do të zhvillonte punime gjeologo-kërkuese do të përgatiste për shfrytëzim industrial vendburimet e zbuluara, do të organizonte punën për shfrytëzimin e tyre, do të ngrinte ndërmarrje metalurgjike për përpunimin e mineraleve e të pasurive të tjera nëntokësore.
Ashtu si me kompanitë e tjera, edhe në këtë rast qeveria jugosllave nuk dha makineritë dhe paratë për të cilat kishte marrë angazhim, duke bërë që edhe plani i parë I qeverisë komuniste shqiptare të rezultonte me mosrealizime e praktikisht I dështuar.
Kompania shqiptaro-jugosllave për elektrikun
Me një marrëveshje tjetër po të muajit nëntor 1946 u krijua Shoqëria e Përbashkët e Elektrikut e cila nisi nga puna në fillim të vitit 1947. Shoqëria kishte misionin për studimin e mundësive për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, ndërtimin e instalimeve për prodhimin e shpërndarjen e energjisë elektrike si dhe shfrytëzimin e instalimeve të prodhimit e të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Shoqëria mori përsipër gjithashtu ndërtimin e hidrocentralit të Selitës në Tiranë, me kapacitet prodhues sa të përmbushte nevojat e kryeqytetit për energji elektrike.
Edhe në këtë rast, studiuesit e njur shqiptare evidentojnë se qeveria jugosllave nuk i zbatoi zotimet për derdhjen e fondeve për kryerjen e investimeve dhe për furnizimin me pjesë ndërrimi e me materiale të nevojshme.
Ndërtimi i hidrocentralit të Selitës do të përballej me vonesa e vështirësi duke bërë që finalizimi i kësaj vepre të realizohej me mjete e materiale që iu morën sektorëve të tjerë të ekonomisë së vendit.
Kjo pati pasoja për ekonominë e Shqipërisë pasi pengoi zbatimin e planitt ë zhvillimit të industrisë elektrike.
Kompania shqiptaro-jugosllave për hekurudhat
Në nëntor të vitit 1946 u përfundua marrëveshje për krijimin e Shoqërisë së Përbashkët të Ndërtimit dhe shfrytëzimit të Hekurudhave.
Në fakt në atë periudhe në Beograd ishte hartuar një projekt për shtrirjen e hekurudhave jugosllave në gadishullin ballkanik, në mënyrë të veçantë në Shqipëri e Bullgari.
Studiuesit Iljaz Fishta e Veniamin Toçi shkruajnë se nga pala jugosllave pati sabotime për hekurudhat Durrës-Tiranë dhe Durrës-Peqin.
Edhe në këtë rast, qeveria shqiptare u detyrua të bëjë rishikime buxhetore duke alokuar fonde të tjera për të finalizuar ndërtimin e hekurudhave. E në fakt, një nga hekurudhat më të famshme të kohës, ajo Durrës-Peqin u ndërtua me pajisje të vjetra e të konsumuara fizikisht, duke qenë të papërshtatshme për të kryer funksionin e kërkuar.
Si pasojë e pasigurisë që paraqiste kjo hekurudhë, trenat qarkulluan me 50 % të shpejtësisë ndërsa 12 kilometra të saj kishin shina të pasigurta si rrjedhojë e përdorimit të materialeve të papërshtatshme.
Kompania shqiptaro-jugosllave import-eksport
Një shoqëri tjetër e përbashkët ishte Shoqëria e Importit dhe Eksportit e cila u krijua me një marrëveshje të muajit tetor 1946. Ajo e kishte qendrën në Tiranë kurse në Beograd kishte një degë kryesore. Shoqëria do të merrej me importin dhe eksportin ndërmjet Shqipërisë e Jugosllavisë.
Në aktin e miratimit të shoqërisë të nënshkruar më 15 shkurt 1947 shoqëria e mësipërme nuk e kishte të drejtën e monopolit të tregtisë sonë të jashtme dhe në thelb kishte .
Veprimtaria e saj de jure shtrohej kryesisht në tregtinë e jashtme ndërmjet dy vendeve.
Banka shqiptaro-jugosllave
Zhvillimi I veprimtarisë ekonomike të shoqërive të përbashkëta kërkonte mbështetjen e nevojshne edhe me anë të kredive bankare afatshkurtëra e afatgjata.
Për këtë qëllim, në bazë të një marrëveshje të veçantë të muajit nëntor 1946 u krijua banka shqiptaro-jugosllave me qendër në Tiranë dhe me degë kryesore në Beograd. Fondi I bankës u parashikua të ishte 6 milion franga I ndarë në 600 aksione emërore të patregtueshme me vleftë emerore secili 10 mijë franga, në përpjestimin 50 për qind për secilën palë.
Në përputhje me këtë marrëveshje me 24 shkurt 1947 u bë mbledhja parë e asamblesë dhe u themelua Banka Shqiptaro-jugosllave.
Kur kjo bankë nisi veprimtarinë e saj ajo u ndodh para presionit të shoqërive të përbashkëta për kredi dhe kjo rëndoi mbi qeverinë shqiptare.
Pala jugosllave nuk derdhi kuotat e saj edhe pse pretendonte se ishin derdhur. Deri në fund të qershorit 1947 shoqëritë e përbashkëta kanë përdorur 10 milion e 430 mijë franga kredi të dhëna nga Shqipëria.
Kreditë e përdorura deri në këtë periudhë nga shoqëritë e përbashkëta kanë qenë nga shoqëria e naftës, shoqëria e minierave dhe shoqëria e hekurudhave. Në këtë shumë kredia, pjesën më të madhe e dha banka e shtetit shqiptar, 8 milion e 530 mijë franga, kurse 1 milion e 900 mijë franga ishin kredi nga banka sghqiptaro-jugosllave.
Veprimtaria e bankës shqiptaro-jugosllave qe e kufizuar. Për më tepër duke qenë se pala jugosllave nuk e derdhi kuotën që i takonte, fondet që u dëshën për veprimtarinë e kësaj banke rënduan mbi shtetin shqiptar.