Pse u zhdukën Neandertalët? Një version që lidhet me zjarrin. …
Pse u zhdukën Neandertalët? Një version që lidhet me zjarrin. …
12 nentor 2020
Neandertalët u zhdukën për shkak se nuk arritën të shfrytëzonin fuqinë e zjarrit siç bënë të afërmit e tyre, Homo Sapiensit? Po të kishin përdorur zjarrin për gatim ata do të kishin marrë më shumë kalori nga e njëjta sasi ushqimit? Kështu, me kalimin e kohës, Homo Sapiensët (njerëzit e sotëm) u shtuan, ndërsa popullsia Neandertale shkoi drejt shuarjes?
Kjo është hipoteza më e re që u paraqit në takimin e 80-vjetorit të Shoqërisë Amerikane të Arkeologjisë në Boston për një nga misteret më të mëdha të historisë njerëzore, zhdukja e Neandertalëve rreth 40.000 vjet më parë.
Ata kishin jetuar në kontinentin europian për qindra mijëra vjet, ndërsa Homo Sapiensat migruan aty rreth 45.000 vjet më parë, dhe pas një hapësirë relativisht të shkurtër kohe (5.000 vjet) Neandertalët u zhdukën.
Ardhja e Homo Sapiensave duket se lidhet me zhdukjen e Neandertalëve, por shkaku i saktë ka qenë prej kohësh çështje debatesh. Disa thonë se Neandertalët, që jetonin në grupe të vegjël, e patën të vështirë për t’u integruar, ndërsa shkencëtarë të tjerë kanë propozuar se Homo Sapiensat i kanibalizuan (i hëngrën) ata.
Çështja e zhdukjes së tyre është shumë komplekse, dhe e pazgjidhur.
Një dallim i madh mes Neandertalëve dhe Homo Sapiensave mund të kenë qenë zotërimi i zjarrit, i cili përveç ngrohjes, mundëson gatimin e ushqimit. Zjarri vret bakteret, dhe ndërron natyrën e proteinave, që do të thotë se trupi mund të shfrytëzojë më shumë kalori nga e njëjta sasi ushqimi.
Disa fosile sugjerojnë se Neandertalët përdorën zjarr, por jo vazhdimisht. Për shembull, Neandertalët banuan në jugperëndim të Francës për dhjetëra mijëra vjet. Fosilet e zbuluara përmbajë vegla guri dhe kocka kafshësh, por pothuajse asnjë provë për përdorimin e zjarrit.
Është e vështirë për të nxjerrë konkluzione. Ende nuk dihet se me çfarë saktësisht ushqeheshin Neandertalët; a hanin ata bimë, mish apo ishin edhe kanibalë? Sepse këto mund të kenë ndikuar (në një drejtim a një tjetër) efektet e zjarrit në mbijetesën e tyre.
a.s/dita