Puka po digjet, gjyshërit tanë te vdekur po digjen… –
Puka po digjet, gjyshërit tanë te vdekur po digjen… –
Po digjeshin varrezat.
Përse po na i vdesin sërish të vdekurit? Pse duan të na zhdukin çdo lidhje të qenësishme që kemi me vendin tonë? Që të ikim? Të ikim pa merakun se kemi kujtime pas? Kujtime që nuk kanë më një vend, kujtime të mbetura në zemër.
Nga Alma Nikolli
-“Ku jemi këtu?”, pyeste kinezi.
-“Në Pukë.
Pas shumë minutash pyeste sërish.
-“Po këtu?”
-“Në Pukë”, i përgjigjej po prapë shoqëruesi shqiptar.
Pas një ore.
-“Po tani ku jemi?”
-“Në Pukë”.
-“Po Puka qenka më e madhe se Pekini!”.
Ky është një dialog që mendohet të jetë zhvilluar përgjatë viteve të komunizmit në rrugët e Pukës. Nuk vë dorën një zjarr për vërtetësinë, ama ashtu si atëherë, thuajse përgjatë të gjitha rrugëve të Pukës së madhe apo të vogël, ka pisha të panumërta.
Pisha, që tani kur unë po shkruaj vazhdojnë të digjen. Të shkrumbohen! Pisha të larta që po u thahen halat, e pas pak kohësh do rrëzohen mbi njëra tjetrën. Prej tre ditësh era ndez vatra të reja zjarresh në dy fshatra, Tuç e Lumbardhë. Njëri fshat që po shkrumbohet ishte më i bukuri në botë, sepse aty kam lindur unë. Po tani nuk e ka më fytyrën e vet.
Kumbulla në oborr është djegur e rrëzuar. Ftoi i ka hedhur të gjitha frutat në tokë, ashtu gjysmë të pjekur e gjysmë të djegur rrëfejnë se dikur aty pati jetë. Malet janë zhveshur dhe mushkëritë na u bllokuan, pishat nuk na mbushin dot me frymë. E kë? Ne. Ne që dikush më shumë e dikush më pak jemi rritur me aromën e tyre, me oksigjenin e tyre.
Më tutje, aty nën udhë tymi sikur kishte marrë tjetër ngjyrë. Po digjeshin varrezat. Prej varrezave e teposhtë, flaka sa vinte e shtohej, më ngjante bash sikur ishte zemërimi i të vdekurve që s’po lihen rehat as në atë botë. Ishte gjyshi im që largonte tymin me qeleshe. . .
Mes tymit e të kolliturave u larguam nga fshati. Ta shikoje të digjej e të mos bëje dot asgjë, përveç fotografive, ishte me të vërtetë e dhimbshme. Është akoma. Do të jetë.
Për zjarrfikëset nuk po flas. I pamë diku “një fshat” larg zjarrit. Helikopterë me ujë? Ata dinë të dalin bukur vetëm në foto. Këmbë njeriu dhe ariu nuk pat, qoftë edhe të na parandalojë për rrezikun e hapave mes tymit e flakëve, ama njeriu mendon me zemër ndonjëherë.
Në vitin 2007, në këto zona ka pasur zjarre thuajse me përmasa të tilla. Ashtu si sot, edhe atëherë thuhej se ishte i qëllimshëm. Pse shqiptarët po na e djegin oksigjenin qëllimisht? Që të na thonë se askush nuk do ta fikë? Përse po na i vdesin sërish të vdekurit? Pse duan të na zhdukin çdo lidhje të qenësishme që kemi me vendin tonë? Që të ikim? Të ikim pa merakun se kemi kujtime pas? Kujtime që nuk kanë më një vend, kujtime të mbetura në zemër.