“Punojmë për shërbimet sekrete”- Rrëfehet një nga rusët e kapur në Uzinën e Gramshit: – Ja kush është qëllimi
22 Gusht 2022
Një nga rusët e arrestuar në Gramsh, dy ditë më parë ka pranuar se ishte porositur për të bërë foto në disa vende të Shqipërisë.
Mësohet se shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thekson se nuk ka më shumë informacione, raporton Top Channel.
Pritet që tre të arrestuarit që u kapën të shtunën në Gramsh të dalin para gjykatës. Ata po hetohen me akuzën e spiunazhit dhe po mbahen në drejtorinë e policisë së Elbasanit ku janë marrë në pyetje nga prokurorët.
Ndërkohë, gjykata u ka caktuar avokatë, të cilët janë takuar sot me klientët e tyre.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Gazeta Panorama