Pushteti i Ballukut, ja kush janë 5 “Çunat e Belës” që menaxhojnë miliardat e shtetit dhe dyshimet për afera korruptive
26 Janar 2025
Nëse ka një njeri më të pushtetshëm në Shqipëri, pas Edi Ramës, ajo është Belinda Balluku. Pushtet të cilin, ja ka dhënë vetë kreu i qeverisë, por me kalimin e kohës, është zgjeruar, duke u katapultuar dhe duke “pushtuar” drejtoritë, dikasteret dhe institucionet më të rëndësishme në vend. Zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Energjisë dhe Transporteve, Belinda Balluku, një nga figurat më të fuqishme të qeverisë Rama, duket se ka krijuar një rrjet të besuar drejtorësh që kontrollojnë miliarda nga buxheti i shtetit përmes disa prej institucioneve më të rëndësishme dhe më të pasura të vendit. Këta drejtues, të cilët tashmë quhen “Çunat e Belës”, kanë nën menaxhim tendera dhe projekte kolosale, duke ngritur dyshime të mëdha mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Gazeta “SOT” ka vendosur të rendisë me radhë, të gjithë emrat e kësaj liste të gjatë, që i detyrohen për pozicionin që mbajnë, pushtetares, zv/kryeministres së Shqipërisë.
ARRSH dhe AKUM
I pari është Gentian Gjylin, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili është një ndër emrat kryesorë të këtij rrjeti. Gjylin ka një lidhje të ngushtë me Ballukun, pasi më parë ka qenë pjesë e AlbControl, kur kjo drejtohej nga vetë ministrja. ARRSH është një prej institucioneve me buxhet më të madh, që menaxhon projekte infrastrukturore të shumëdiskutuara dhe tendera që shpesh janë shoqëruar me dyshime për parregullsi. Po ashtu, Klevis Jahaj, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM), është një tjetër figurë e rëndësishme që po përfiton nga mbështetja e Ballukut. Jahaj ka një histori në sistemin e energjisë, ku për vite ka drejtuar Divizionin e Shpërndarjes për Rajonin e Tiranës. Tenderat për ujësjellësin dhe menaxhimin e mbetjeve, një problem kronik në vend, janë kthyer në një burim të madh financimi për kompani të lidhura ngushtë me pushtetin.
OSSHE, OST dhe Hekurudhat Shqiptare
Më tej Enea Karakaçi, drejtori i Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), është gjithashtu një nga emrat e vendosur në pozicione kyçe nga Balluku. Sistemi energjetik, një sektor thelbësor për ekonominë shqiptare, përballet shpesh me kritika për menaxhimin e dobët, ndërsa tenderat dhe investimet në këtë fushë kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe efektivitetin e tyre. Sakaq edhe Bledian Dalipi, drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), është një tjetër emër që është përfolur dhe akuzohet se është përfshirë në afera korruptive. Ndërkaq një tjetër emër që përmendet shpesh është Ergys Verdho, i cili aktualisht drejton Hekurudhat Shqiptare, por më parë ka qenë në krye të ARRSH dhe KESH. Nën drejtimin e tij në KESH, vendi u përball me një krizë të madhe energjetike, ndërsa akuzat për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet nuk munguan.
Skema
Nga ana tjetër, burime brenda opozitës dhe shoqërisë civile ngrenë shqetësimin se këta drejtues, të cilët kanë marrë mbështetje të fortë nga Balluku, janë kthyer në “arkëtarët” kryesorë të fondeve publike përmes tenderave të dyshimtë dhe favorizimeve të kompanive të caktuara. Nga projektet infrastrukturore, deri te menaxhimi i ujit dhe energjisë, të gjitha këto institucione përfaqësojnë miliarda lekë të buxhetit të shtetit që shpesh kalojnë pa shumë transparencë. Ndërkohë, Belinda Balluku vazhdon të mbrojë emërimet e saj, duke i cilësuar si profesionistë të spikatur, por kritikat për mungesën e transparencës dhe menaxhimin klientelist të fondeve vetëm sa shtohen. Por a do të hetohen këto dyshime nga institucionet përgjegjëse apo SPAK do të vazhdojë të mbyllë sytë ndaj skandaleve që përfshijnë miliarda nga paratë e taksapaguesve shqiptarë? Kjo mbetet një pyetje që kërkon përgjigje urgjente.
Gazeta Sot