“Pushtimi” i Kongresit nga mbështetësit e Trump. – Si reaguan liderët botërorë, befason Rusia

6 JANAR 2021

Udhëheqës dhe politikanë botërorë shprehën të mërkurën tronditje ndaj protestuesve të dhunshëm që hynë në ndërtesën e Kongresit amerikan dhe ndaj përpjekjeve për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, të cilat i dhanë fitoren sfiduesit demokrat Joe Biden.

Ja disa nga reagimet:

MBRETËRIA E BASHKUAR

Kryeministri britanik Boris Johnson në një koment në Twitter i quajti skenat në Kongresin amerikan një “turp”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në mbrojtje të demokracisë në të gjithë botën dhe se është me rëndësi “jetike” që të ketë një transferim të rregullt dhe paqësor të pushtetit.

GJERMANI

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se armiqtë e demokracisë do të gëzohen nga skenat e dhunës në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Ai i bëri thirrje zotit Trump të pranojë verdiktin e votuesve amerikanë.

Në një Tweet postuar pasi protestuesit sulmuan selinë e legjislaturës amerikane, ministri Maas tha se dhuna ishte shkaktuar nga retorika nxitëse. “Trump dhe mbështetësit e tij duhet të pranojnë më në fund verdiktin e votuesve amerikanë dhe të ndalin përpjekjet për të shkelur demokracinë.”

FRANCË

Ministri i jashtëm francez Le Drian: “Dhuna që po ndërmerret kundër institucioneve amerikane përfaqëson një sulm të rëndë ndaj demokracisë”.

RUSI

“Nga Uashingtoni vijnë imazhe shumë të ngjashme me ato të stilit të Maidanit,” shkroi në Twitter zëvendës ambasadori rus në OKB Dmitry Polyanskiy, duke iu referuar protestave në Ukrainë që rrëzuan Presidentin e Ukrainës të mbështetur nga Rusia Viktor Janukoviç në vitin 2014.

NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i quajti protestat e dhunshme në Uashington “skena tronditëse” dhe tha se rezultati i zgjedhjeve demokratike të SHBA duhet të respektohet.

SPANJË

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkroi në Twitter: “Po ndjek me shqetësim lajmet që vijnë nga Kapitoli në Uashington. Unë besoj në forcën e demokracisë së Amerikës.

“Presidenca e re e @JoeBiden-it do ta kapërcejë këtë kohë tensioni, duke bashkuar popullin amerikan.”

Gazeta Shqip