Prishtina

Pushtimi rus i Ukrainës dhe kërcënimi për Kosovën!  –  Alarm për blerje të armatimit modern

Nga Gazeta Bota Sot, Prishtine

NGA: IDRIZ MORINA

22 SHKURT 2022

Politika jonë kryeneçe, dhe e pamotivuar nga njerëz atdhedashës, e më shumë e penguar nga ata që janë në shërbim të projekteve antishqiptare, për më shumë se 12 vjet në liri, nuk është marrë thuajse fare me mbrojtjen.Serbia gjatë gjithë kësaj kohe ka llogaritur në aleancën diskrete me Rusinë, dhe me Kinën më pak, ndërsa hapur ka përfaqësuar kinse dëshirat për integrime në BE, dhe struktura tjera europerëndimore, duke shmangur vullnetin për anëtarësim në NATO.

Shqiptarët duhet të bëjnë presion, që çështja e bisedimeve me Serbinë të përmbyllet me hyrjen e Kosovës në NATO, dhe me përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit në BE, pra hapjen e negociatave të drejtpërdrejta, për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ukraina sot u gdhi e pushtuar, si asnjëherë tjetër, ajo sot duket e thyer, gjysmë e braktisur, dhe e pasigurt për të ardhmen e shtetit.

Ne nuk ishim shtet, ishim në krijim të mëkëmbjes si komb, dhe që një ditë ta gëzonim Pavarësinë. Fati ynë është i jashtëzakonshëm, sigurisht nuk pretendojmë të gjejmë ngjashmëri në origjinë me Ukrainën (ukrainasit) apo në të kaluarën tonë jo të largët.

Por, ne kemi provuar, apo më saktë Ukraina tashmë e tetë vjet, po e provon, atë që ne së paku e kemi provuar qe më shumë se 150 vjet në lëkurën tonë, shtypjen, gatishmërinë për të na goditur politikat rusomëdha, të shfaqura, përveç se në konferenca ndërkombëtare kundër shqiptarëve, si në Berlin, Londër, Paris, Jaltë etj., edhe nëpërmjet shfaqjes së tyre të egër nga Serbia, e cila shumicën e projekteve të saja antishqiptare i merrte nga Rusia.

Paralajmërimi

Për shumë ditë apo javë kemi alarmuar se çfarë po ndodhte në krizën e Ukrainës. Për shumë kohë, kemi qenë ndoshta mediumi i parë dhe i vetëm, që i kemi ndërlidhur zhvillimet në krizën e Ukrainës, duke e parë atë si një rast, nga i cili shqiptarët duhet të mësojnë, dhe mundësisht të përfitojnë.

Politika jonë kryeneçe, dhe e pamotivuar nga njerëz atdhedashës, e më shumë e penguar nga ata që janë në shërbim të projekteve antishqiptare, për më shumë se 12 vjet në liri, nuk është marrë thuajse fare me mbrojtjen, duke mos projektuar veçse disa investime minimale, madje duke lënë pa përmbushur as ato që ia lejonte pakoja e Ahtisarit.

Me shndërrimin e rolit të FSK-së në rol ushatarak, pat disa blerje të automjeteve të blinduara nga SHBA-të, por thuasje asgjë më shumë.

Serbia e ka fuqizuar ushtrinë e saj, duke pasur për objektiv që ta ketë dyfishin e potencialit ushtarak të katër shteteve ballkanike, Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa që mbi 100% të atij potenciali tashmë ka deklaruar se e ka.

Kroatët së fundi i janë kundërpërgjigjur duke investuar në armatim, avionë luftarak dhe armë të tjera, ndërsa Shqipëria dhe Kosova nuk kanë fare avion lufte, e ne as helikopterë. Edhe më keq ne nuk kemi fare mbrotje antiajrore, pra antiraketore.

Serbia gjatë gjithë kësaj kohe ka llogaritur në aleancën diskrete me Rusinë, dhe me Kinën më pak, ndërsa hapur ka përfaqësuar kinse dëshirat për integrime në BE, dhe struktura tjera europerëndimore, duke shmangur vullnetin për anëtarësim në NATO, si pasojë e trysninë së drejtpërdrejt të Rusisë.

Derisa Serbia ia ka dalë të krijojë strategji të qarta, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, Kosova ka qenë e përhumbur, duke llogaritur në vullnetin eventual të Perëndimit, qoftë për t’i mbrojtur kufijtë verior, qoftë të integrimit të Kosovës.

Perëndimi i shtrënguar

Siç kemi shkruar në një numër shkrimesh në vazhdimësi, Kosova dhe gjithë shqiptarët e kanë shansin të përfitojnë nga shtrëngimi në të cilin ndodhet Perëndimi, si pasojë e Rusisë, agresionit ndaj Ukrainës dhe ambicieve, që atë ta çojë përtej, pra edhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s, vendeve të Baltikut, Polonisë, e mbase edhe të Bullgarisë dhe Rumanisë.

Deri tash ishim dëshmitar të përpjekjeve diplomatike, por tashmë jemi dëshmitarë të oshëtimës së armëve, të fatit që ato e projektojnë dhe e vendosin.

Duke shpresuar dhe besuar se në këtë gjëmë ukrainase, do të dal fitimtar Perëndimi ndaj Rusisë, shqiptarët duhet të shfrytëzojnë diplomacinë, Shqipëria dhe Kosova, dhe të përdorin të gjitha mundësitë e tyre, për ta ndëshkuar Serbinë, veçmas nëse ajo vazhdon të luajë lojën ruse, kundrejt Kosovës.

Këtë lojë ajo nuk do të mund ta fshehë, pasi emisari rus, i Putinit i dërguar në Beograd, do t’ia përcjellë ultimatumet ruse, Vuçiqit dhe pushtetit të atjeshëm. Nëse këtë do të mundohet ta fshehë me fjalë, mesazhet do të zbulohen nga veprimet diplomatike, ushtarake dhe të sigurisë që do t’i ndërmarrë Serbia në raport me Kosovën, por edhe ndaj krizës së Ukrainës.

Perëndimi nuk është i interesuar aspak për neutralitetin serb, në emër të të cilit Serbia me dekada ka manipuluar.

Negociatat duhet të ndërpriten

Pra, shqiptarët duhet të bëjnë presion, që çështja e bisedimeve me Serbinë të përmbyllet me hyrjen e Kosovës në NATO, dhe me përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit në BE, pra hapjen e negociatave të drejtpërdrejta, për Kosovën dhe Shqipërinë.

Negociatat duhet të ndërpriten, pasi ekziston pakoja e Ahtisarit, e përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, dhe po ashtu disa marrëveshje që duhet të zbatohen deri në integrimin në BE. Ndërsa, pretendimet e tjera duhet të zgjidhen sipas modelit që i ka zgjidhur BE-ja ndërmjet shteteve ekzistuese.

Duke e prtenduar BE-në, si një shtet të vetëm, federatë apo konfederatë, nuk ka asnjë kuptim, që të negociojmë më me Serbinë, për shkak se është humbje kohe, dhe që mendësia politike serbe vetëm se sa do të degjenerohej më tej.