20 Janar 2024

Vladimir Putin mund të sulmojë aleancën ushtarake të NATO-s në më pak se një dekadë, paralajmëron ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë … kështu që duhet të kemi parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s një ditë,” i tha Pistorius gazetës gjermane Der Tagesspiegel..

“Ekspertët tanë presin një periudhë prej pesë deri në tetë vjet në të cilën kjo mund të jetë e mundur

Pas pushtimit të Ukrainës nga Kremlini, Rusia ka rritur retorikën agresive kundër disa prej fqinjëve të saj – duke përfshirë vendet baltike dhe Poloninë, të cilët janë të gjithë anëtarë të NATO-s, dhe Moldavinë – çka i ka bërë zyrtarët e lartë evropianë të mbrojtjes të paralajmërojnë për rrezikun e një konflikti të madh.

Pak ditë më parë, kryetari i komitetit ushtarak të shefave kombëtarë të NATO-s, Admirali Rob Bauer, tha se aleanca ushtarake u përball me “botën më të rrezikshme në dekada” dhe bëri thirrje për një “transformim luftarak të NATO-s”.

Në fillim të këtij muaji, komandanti i përgjithshëm i Suedisë, gjenerali Micael Bydén në mënyrë të ngjashme u bëri thirrje suedezëve që të “përgatiten mendërisht” për luftë.

Në të njëjtën ditë, ministri suedez për mbrojtjen civile Carl-Oskar Bohlin paralajmëroi gjithashtu se “lufta mund të vijë në Suedi”.

Në intervistën e tij me Der Tagesspiegel, Pistorius tha se paralajmërimet suedeze ishin “të kuptueshme nga një perspektivë skandinave”, duke shtuar se Suedia u përball me “një situatë edhe më serioze”, nëse marrim parasysh afërsinë e saj me Rusinë.

“Por edhe ne duhet të mësojmë të jetojmë përsëri me rrezik dhe të përgatitemi – ushtarakisht, shoqërisht dhe në aspektin e mbrojtjes civile,” paralajmëroi Pistorius.