7 Tetor 2023

Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për nevojën e rindërtimit të rendit ndërkombëtar gjatë një takimi të përvitshëm në Valdai Club, që këtë vit kishte temën: “Multipolaritet i ndershëm: Si të garantohet siguria dhe zhvillimi për të gjithë”. Në fjalën e vet Putin fajësoi Perëndimin për gjendjen e tanishme ndërkombëtare duke akuzuar elitat e tij për “qasje kolonialiste”. Ndërkohë pala ruse ka hedhur në qarkullim idenë e një “qasjeje qytetërimore” si pjesë thelbësore të “ideologjisë ruse në evoluim”.

Sipas presidentit rus barra financiare e luftës në Ukrainë do të ndikojë më shumë në Europë sesa në SHBA, për shkak të gjendjes së tanishme dhe rënies së PBB-së në kontinent. 

Historia e Perëndimit është në esencë një kronikë e ekspansionit të pafundëm. Ndikimi perëndimor në botë është një skemë e jashtëzakonshme piramidale, ushtarake, politike dhe financiare që në mënyrë të vazhdueshme ka nevojë për më shumë karburant që të mbështesë veten, me burime natyrore, njerëzore dhe teknologjike të cilat u përkasin të tjerëve. Kjo është arsyeja se pse Perëndimi nuk mundet dhe nuk do të ndalet – është shprehur Putin.

Duke folur për qasjen alternative ruse, presidenti rus ka vënë në dukje se propozimet e Moskës, në dritën e zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë tingëllojnë naive.

Pati një moment kur unë thjesht sugjerova: ndoshta ne duhet po ashtu të hyjmë në NATO. Por jo, NATO nuk ka nevojë për vende si yni…Ne menduam të bëhemi pjesë e turmës, të vëmë një këmbë te dera. Nuk kishte më konfrontim ideologjik. Cili ishte problemi? Mendoj se problem ishte interesi i tyre gjeopolitik dhe arroganca ndaj të tjerëve – vijon Putin.

Një tjetër moment me rëndësi për të zbuluar pikëpamjen ruse në krizën e tanishme, është edhe ai kur presidenti rus ka folur për natyrën e konfliktit në Ukrainë.

Kriza në Ukrainë nuk është një konflikt territorial dhe dua ta bëj të qartë këtë. Rusia është vendi më i madh në botë në termat tokësorë, ne nuk kemi interes të pushtojmë më shumë tokë. Ne kemi ende shumë për të zhvilluar si duhet në Siberi, Siberinë Lindore dhe Lindjen e Largët. Ky nuk është një konflikt territorial dhe as një përpjekje për të vendosur balancën gjeopolitike rajonale. Kjo çështje është shumë më e gjerë dhe më themelore dhe është për parimet mbi të cilat ngrihet sistemi ndërkombëtar – është shprehur ai.

Putin nuk e ka fshehur se ai ka një problem serioz në perceptimin sesi SHBA drejton punët në botë dhe sesi elita e saj kërkon të imponohet. Sipas tij sot dëgjohet vazhdimisht nga SHBA të thuhet se “ju duhet të”, “të paralajmërojmë seriozisht”, “jeni i detyruar të”, për të vazhduar me pyetjen:

Kush jeni Ju për ta bërë këtë?

Për shekuj një sjellje e tillë ka çuar në riprodhimin e një gjëje: luftërave të mëdha. Sot kjo është veçanërisht e rrezikshme. Siç e dini njerëzimi ka mjetet për të shkatërruar lehtësisht të gjithë planetin dhe manipulimi i vazhdueshëm i mendjes, i pabesueshëm në shkallën e vet, çon në humbjen e sensit të realitetit – është shprehur Putin që ka bërë thirrje që Perëndimi të pranojë botën për etnitetet dhe kulturat që ka.

Jam i bindur se bota po lëviz drejt një sinergjie shteteve-qytetërimore, hapësirash të mëdha, komuniteteve që identifikohen si të tillë…jo një fragmentarizimi të mëtejshëm mes segmenteve rivale, apo bllloqeve rivale

ka thënë ai, duke paralajmëruar se aktualisht është duke u përpunuar një koncept tjetër për rendin ndërkombëtar që rivalizon me rregullimin perëndimor. Një koncept që është paraqitur në gjashtë pika:

  • Një botë e hapur e ndërlidhur pa barriera artificiale
  • Një botë e larmishme që ruhet si e tillë ku nuk mund të detyrohet mënyra e jetesës
  • Përfaqësim maksimal me vendime kolektive
  • Siguri universale dhe paqe afatgjatë në respekt të interesave të kujtdo.
  • Drejtësi për të gjithë
  • Barazi
  • Gazeta Dita