Pyetja që duhet të bëjë Rama për Tiren, para se të mburret
Pyetja që duhet të bëjë Rama për Tiren, para se të mburret
– 09/02/21
Eshtë pacipësi përtej çdo imagjinate, që Edi Rama dhe Ministrja e tij e Shëndetësisë, të dalin sot para medias e të mburren me faktin se Tirja dhe një grup infermierësh aty, janë pas hekurave. Pra, se po bëhet drejtësi për një krim të shëmtuar, siç ishte zhvatja pa turp e njerëzve në hall që kanë të afërmit të shtuar në spitalet covid.
Kryeministri dhe ministrja e tij, nuk kanë asnjë lidhje me zbulimin e fenomenit, dhe me reagimin më tej.
Merita i shkon qytetares që denoncoi, i shkon medias që e publikoi, i shkon më pas prokurorisë dhe gjykatës që po marrin ato vendime që po marrin.
Në asnjërën instancë, nuk është askund Rama e as Manastirliu, të cilët sot po mburren edhe para mediave.
Në fakt, rilindja dhe sistemi i tyre shëndetësor më shumë qendrojnë në anën tjetër të historisë. Qendrojnë nga ana e Tires, dhe e grupit që bënte plaçkë çdo ditë në kurriz të njerëzve.
Përpara se të rrahë gjoksin para kamerave e të thotë se ky rast nuk e rrëzon punën e tij të madhe dhe reformat që ka kryer, Edi Rama dhe Ministrja e tij duhet të reflektonin e ti bënin një pyetje vetes.
Përse vallë, qytetarja që humbi të ëmën në kushte çnjerëzore në spital, të uritur e të etur, të patrajtuar, e të lënë në mëshirë të fatit, nuk i shkroi një mesazh as kryeministrit, as ministres, as drejtorit të spitalit, as kreut të QSUT.
Përse ajo nuk ndoqi rrugën administrative, përse nuk apeloi pranë institucioneve.
Kjo është një nga pjesët më shqetësuese të atij skandali.
Dhe përgjigja është e thjeshtë. Ajo dhe shumë të tjerë, shkojnë në media dhe tek emisionit investigative, sepse nuk kanë besim tek autoritetet, nuk kanë besim tek qeveria.
Qytetarët mendojnë se Tirja dhe tiret e tjera, janë produkt i sistemit që mbahet e menaxhohet nga kjo rilindje.
Dhe qytetarët e dinë mirë, se ajo cka bën në fakt qeveria, është propagandë, propagandë, propagandë. Fjalë e vetëm fjalë.
Gazeta Mapo