Qamil Grezda perfaqesues i Artit Figurativ Shqiptar.

Në veprat e jashtëzakonshme të artistit të shquar dhe piktorit të mirënjohur, Qamil Grezda dallohen qartë tërheqja e veçantë për natyrën dhe ndjenjat e larta të atdhedashurisë që shprehen me madhështi në portretizimin e shumë figurave dhe ngjarjeve historike kombëtare.

Si “grabitqar i bukurisë natyrore” dhe transmetues i frymës së dashurisë për Kosovën e Shqipërinë, Grezda i madh na la trashëgimi kryevepra me vlera kombëtare, që kapërcejnë kohën dhe dimensionet, me ndikim në breza dhe të pranishme në çdo kohë.

Për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore, duke lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të gjinive të peizazhit e portretit me cilësi të lartë artistike, si dhe për përgatitjen e shumë gjeneratave të artistëve të rinj, pata nderin t’i akordoja Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Kënaqësi të shihja nga afër edhe shumë prej veprave të rralla të Qamil Grezdës, pjesë e koleksionit të vyer të familjes, që u ekspozuan në Presidencë nga djali i tij, skulptori i shquar, Ermir Grezda.

Mirënjohje të gjithëve artistëve shqiptarë për vlerat e pasura kulturore që na lanë trashëgimi, duke na bërë krenarë, por që duhen mbrojtur e promovuar më së miri.