Qemal Stafës, nuk i ndahen Minxhozët edhe pas… 80 viteve!
22/08/2019 –
Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë.
Shkruan Ylli Dylgjeri.
Pas një debatit institucional Kryeministri-FSHF, e më pas në media ndërmjet administratorit të stadiumit Bardhyl Minxhozi, dhe zv.kryeministrit Erion Braçe bie në sy edhe një fakt i çuditshëm: Heroit te Popullit Qemal Stafa nuk i ndahen Minxhozët (matjanë) qysh nga dita e vrasjes në vitin 1942 nga italianet, e deri me sot në 2019 kur kërkohet sërisht ndryshimi i emrit të Stadiumit!
Qemal Stafa është nga të rrallët komunistë emri i të cilit nuk mbart asnjë ngarkesë negative në çdo kohë. Ai mbeti i njëjti idealist deri 5 majin e viti 1942 kur u vra i rrethuar nga 200 milicë në një shtëpi në Tiranë duke shkëmbyer zjarr me ta, dhe duke u bërë kështu simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe duke e kthyer ditën e vrasjes së tij në ditën e kujtimit të të gjithë dëshmorëve të atdheut.
Historia e dokumentuar nga dëshmitë e bashkëkohësve të Qemalit në momentet e vrasjes na njeh me njerzit që ishin pranë tij në momentet e fundit të jetës. Njeri prej tyre, Beqir Minxhozin, ose xhaxhain e Bardhyl Minxhozit të sotëm, është edhe më i anatemuari!!!
Sipas Gjystina Sates (Flora Dishnica), që jep pak a shumë të njëjtën situatë si Drita Kosturi në dëshminë e saj, ‘Beqiri (Minxhozi) doli në mëngjes për të psonisur. Ndërkohë ne ishim duke pritur. Prit Beqir e s’ka. Kur nga ora 1.(pasdite) hapëm perden për të parë e shofim Beqirin që vjen me një tufë me policë, mes tyre ishte edhe një Gëzim i famshëm, spiun i SIM-it.
Beqiri ishte i arrestuar, i lidhur. Them shpejt Qemal…etj etj.
Në vijim, ja ç’thonë edhe kolegët e tjerë të ndodhur në vendngjarje:
SKENA E VRASJES
I rrethuar nga 200 milicë dhe me një pistoletë dhe dy bomba në dorë, Qemal Stafa, në ato momente kishte dy rrugë: ose të arratisej, ose të vritej. Kishte shumë pak mundësi me të parën, rrjedhimisht ndodhi e dyta.
Ishte ora 09.35. kur baza në Tiranë ku strehoheshin ai dhe 6 persona të tjerë u zbulua dhe të gjithë dolën nga prapa banesës me synimin për t’u larguar.
I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye e gjithë lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar.
I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i kishin gjetur kontratën e shtëpisë që kishte marrë me qira dhe emrat e atyre që strehoheshin…etj,etj.
KUSH E SPIUNOI BAZËN KU FSHIHEJ QEMAL STAFA?
Janë disa fakte që hedhin dyshime të forta që baza ku ishte Qemal Stafa është spiunuar. Madje nga vetë shokët e tij. Baza ku strehohej Qemal Stafa kishte tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte e pamundur që policia ta zbulonte kaq shpejt. Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë.
Po cilët ishin ata që e zbuluan bazën?
Tre janë personat ndaj të cilëve janë hedhur dyshime të forta për zbulimin e bazës ku strehohej Qemal Stafa: Kristo Themelko, Enver Hoxha dhe Beqir Minxhozi…
*Marrë nga libri ‘100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017’.
Sot pas me se 80 viteve kemi serisht nipin e familjes Minxhozi, Bardhylin, që ka hyrë prap në ‘ bazën’ e Qemal Stafes, në Stadiumin me të njëjtin emër, dhe ka marrë përsiper ti heqë emrin apo të sqaroje se pse duhet hequr emri i Qemal Stafes nga Stadiumi!
Ja dhe reagimi i Minxhozit, që është publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në media:
‘Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për Stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar.
FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërine e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në ‘Premier League’ nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe Tottenham. Ekspertët vlerësojne që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për ‘shitjen’ e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, ‘shet’ më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:
Amex Stadium- Brighton, Etihad Stadium – Manchester, Emirates Stadium – London, Allianz Arena – Munich, Mercedes-Benz Arena – Stuttgart, Orange Velodrome -Marseille, MetLife Stadium – New Jersey USA, FedExField – Maryland USA, Bank of America Stadium – North Carolina USA, AT&T Stadium – Texas, Gillette Stadium – Massachusetts USA
Stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij, do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një ‘shpikje shqiptare’, siç e sqaruam me shembujt e mësipërm. Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara ‘tifozo-pushtetare’, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e rradhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz ‘,i shqetsuar’, apo si politikan që kërkon kredo politike.
Por pamvaresisht kësaj ne garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proçes do të zhvillohet, për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë një impiant modern dhe bashkohor.
Ky ishte qëndrimi i administratorit të FSHF, dhe njëherësh nipit të Beqir Minxhozit për ndryshimin e emrit të Stadiumit. E çuditshme por e vërtetë. Si të mos mjaftonin pikëpyetjet për xhaxhain, Beqirin, nipi rimerr përsipër pikëpytje të tjera të panevojshme në konflikt interesi, për një mbiemër që mbetet enigmë në vrasjen e heroit.
© SYRI.net