Qeveria anulon vendimin për kthimin e Fakultetit të Gjeologjisë, në Pallatin e Drejtësisë. –
Qeveria anulon vendimin për kthimin e Fakultetit të Gjeologjisë, në Pallatin e Drejtësisë. –
Kryeministri Edi Rama ka anuluar vendimin e marrë më 2014, që Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave t’i kalonte Ministrisë së Drejtësisë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është anuluar vendimi i marrë më 2014, që Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave t’i kalonte Ministrisë së Drejtësisë. Aty ishte parashikuar të ndërtohej Pallati i Drejtësisë, gjë që në atë kohë u kundërshtua nga stafi i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, dhe vetë studentët.
Vendimi i qeverisë në vitin 2014 për transferimin e godinës së Fakutetit të Gjeologjisë u shoqërua me protesta nga ana e studentëve të këtij faktulteti. Ata bojkotuan mësimin për disa ditë me radhë.
Pjesë e kësaj proteste u bënë edhe pedagogët, të cilët e quajtën të papranueshëm këtë vendim, i cili cënon një fakultet me histori 60-vjeçare, por edhe për faktin që u ndërmorr në fillim të një viti akademik duke mos i lënë kohë për zhvendosjen në një ambient tjetër.
Vetë kryeministri Edi Rama asokohe u takua me studentët në protestë teksa i tha atyre se për fakultetin ka një tjetër projekt.
Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.744, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS,TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1.Shfuqizimin e vendimit nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”, të ndryshuar me vendimin nr.732, datë 8.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Nga: Gazeta Shqiptarja.com