Qeveria bëhet gati për një borxh të ri 725 milionë dollarë. Parashikon rritje të tarifave të ujit edhe me 75 për qind
Qeveria bëhet gati për një borxh të ri 725 milionë dollarë. Parashikon rritje të tarifave të ujit edhe me 75 për qind.
31 janar 2020
Qeveria shqiptare ka dorëzuar pranë Bankës Botërore një projekt për të cilin kërkon një financim në vlerën 725 milionë dollarë.
Kjo është shuma më e madhe që vendi ynë kërkon pranë një institucioni financiar ndërkombëtar vitet e fundit.
Institucioni që ka paraqitur projektin është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Data më e afërt e mbledhjes së bordit të Bankës vlerësohet 9 marsi 2020.
Kërkesa për borxhin e ri përshkruhet si nevojë e Shqipërisë për “të përmirësuar aksesin në dhënien e shërbimit dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve”.
Kërkesa pason dokumentin e strategjisë qeveritare 2020-2030 ku thuhet se vendi “ka nevojë për investime të mëdha në sektor që kapin vlerën 1.5 miliard euro”.
Në të njëjtin dokument qeveria parashikon rritje të tarifave të ujit edhe me 75 për qind për të përballuar zbatimin e strategjisë.
Kjo rritje sipas qeverisë është e përballueshme nga shqiptarët.
“Strategjia Kombëtare e Sektorit UK përfshin gjithashtu përmirësime në vendosjen e tarifave në përputhje me parimet e mëposhtme: Nivelin e mbulimit të kostove nga tarifat; tarifa që bazohen në kosto; politikat tarifore dhe përcaktimi i tarifave do të sigurojnë që shërbimet UK të jenë të përballueshme në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, ku thuhet se tarifat duhet të jenë të përballueshme duke pasur parasysh që fatura ujit dhe kanalizimeve duhet të jetë jo më shumë se 5 për qind e të ardhurave familjare për familjet me të ardhurat më të ulta” , – thuhet në dokumentin e qeverisë, publikuar nga revista ekonomike Monitor.
j.l. / dita