“Qeveria grup i strukturuar kriminal me inceneratorët”, Brisida Shehaj nxjerr prapaskenat…
4 Gusht 2022
Brisida Shehaj nga Partia e Lirisë paralajmëroi mbrëmjen e djeshme se do të vazhdohet me publikimin e fakteve të reja lidhur me inceneratorët.
Sipas saj, në këtë rast bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, ndërsa inceneratorët nuk ekzistojnë në asnjë nga 3 qytetet.
Shehaj: Ne do të vazhdojmë të publikojmë për këtë skandal sepse SPAK-u po vonon që t’i quajë një grup i strukturuar kriminal. Po ashtu të bashkohen edhe shumë dosje që janë të hapura në prokuroritë e rretheve. Ne do të vazhdojmë që t’i nxjerrim këto faktet sepse është një grup i strukturuar kriminal. Ne aty nuk kemi në fakt incinerator. Kemi në vepër të përfunduar në Fier, po pas një viti e pak muaj ende nuk është bërë dorëzimi, edhe pse duhet të ishte bërë brenda 30 ditësh.
Ne vazhdojmë të kemi një qeveri që nuk reagon për incineratorin e Tiranës. As investimi për 4 vitet e para nuk është bërë, por ama paguhen para. Prandaj janë paguar para në mënyrë fiktive për të mos bërë punë dhe duke gjetur njerëz si ajo zonja që mbledh kënaçe apo ky 29-vjeçari. Këta satelitët kanë bërë tjetërsimin e pronave dhe parave të buxhetit të shtetit. Ne kemi shpresë, por SPAK-u nuk po reagon. Ne nesër do të bëjmë publike fakte të reja lidhur me këtë gjë.
Shehaj shtoi se është marrë një individ për këto skema që i është shitur tokë dhe i është dhënë hua nga paratë shtetërore.
Shehaj: Historia e atij 29-vjeçarit, pse bëmë atë denoncim është për të treguar se nuk bëhet fjalë se janë dhënë ca para dhe këta kanë përfituar. Këtu merret një individ dhe këtij i shitet një tokë, i jepet hua nga kompania me paratë që merr nga ne dhe ata që depozitojnë dherat atje. Ky zotëria merr 304 mijë euro me letra fiktive nga AZHBR-ja dhe ky hap kompani në Mal të Zi pastaj. Po ashtu ky del administrator i një tjetër kompanie fiktive që ka hyrë në marrëdhënie me Klodian Zotos dhe Stela Gugalljen.
Gazeta Sot