Qeveria kundër SHBA-së, -DASH flet për pastrim masiv të parave. –
Qeveria kundër SHBA-së, -DASH flet për pastrim masiv të parave. –
Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, shkruan në facebook se qeveria është vendosur kundër SHBA-së, dhe se në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, nënvizohet se në vend po bëhet pastrim masiv i parave.
”Dhjetrat kullat në Tiranë janë prova e qartë, që fajëson pa asnjë ekuivok qeverinë e inkriminuar në këtë fenomen shkatërrimtar për ekonominë e vendit dhe për kriminalizimin e jetës politike dhe shoqërore të tij”,-shkruan Vasili në facebook.
Nga ana tjetër Vasili shtron pyetjen se a mund ta pranojnë shqiptarët një qeveri antiamerikane? ”Sigurisht që kurrë jo”,-shton më tej Vasili.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit
DASH paralajmëroi pastrimin masiv të parave dhe kullat në Tiranë janë prova e qartë dhe e rëndë e inkriminimit të qeverisë.
Vetëm disa javë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi shumë qartë se Shqipëria mbetet vend kryesor i pastrimit të parave. DASH konfirmoi se Shqipëria është nën vëzhgim të rreptë për pastrimin e parave si dhe vuri gishtin edhe në format e këtij pastrimi.
Dhjetrat kullat në Tiranë janë prova e qartë, që fajëson pa asnjë ekuivok qeverinë e inkriminuar në këtë fenomen shkatërrimtar për ekonominë e vendit dhe për kriminalizimin e jetës politike dhe shoqërore të tij.
Moskonfiskimi i aseteve të veprimtarisë kriminale dhe përkundrazi shndërrimi nga qeveria i Shqipërisë në një parajsë dhe lavatrice kolosale të pastrimit të parave janë në sytë e të gjithë shqiptarëve, por edhe të partnerëve ndërkombëtare që po ndjekin hap pas hapi më të gjitha instrumentet situatën.
DASH konfirmonte në raport se:
“Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore”, “Ndërtimi, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri”, theksohet në raport.
Departamenti Amerikan i Shtetit theksonte: “Institucionet shqiptare nuk janë efektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat, paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht.
Në 2017-n, ligji i konfiskimit anti-mafia është ndryshuar. Përkundër ndryshimeve në ligj për të përmirësuar aftësitë e prokurorëve për të hetuar dhe konfiskuar asetet në lidhje me të ardhurat kriminale, mangësitë mbeten në zbatimin e ligjit”.
Qeveria tashmë është vendosur qartazi kundër SHBA-së dhe kundër gjithçkaje që DASH kërkoi me forcë kundër pastrimit të parave që shkatërrojnë vendin. A mund ta pranojnë shqiptarët një qeveri antiamerikane? Sigurisht që kurrë jo.
/Koha Jonë/