Qeveria mbyll “Onufrin”, arsyeja? “Sekret. – shtetëror!”-
Qeveria mbyll “Onufrin”, arsyeja? “Sekret. – shtetëror!”-
Nga Rubens Shima.
Me miratimin nga Parla menti të ligjit absurd për artin, ligjërisht ndryshoi edhe emri i Galerisë Kombëtare. Një rast unik i llojit të vet në planet, ku në shek. XXI, një vend europian (kuptohet vetëm gjeografikisht), pa motiv dhe pa arsye, ndërron emrin nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Muzeumin e Arteve të Bukura. Emër ky, me efekt teletransportuese në stacionin e shek. XIX, që historikisht është edhe koha e lindjes së muzeve të tillë kudo në Europë. Me peshën e emrit imponues “Artet e Bukura”, me të drejtë mendja të vete te tradita europiane e pikturës, dy shekuj më parë. Por në fakt, është një ambalazhim vulgar dhe cinik, bërë për të fshehur një stisje, një manipulim, një falsitet, sajuar nga Ministria, Galeria apo dreqin e di kush, me qëllim paraqitjen e artit të propagandës si “Art të Bukur” apo si traditë historike.
Kësisoj, gjithë imazheria e pikturës dhe skulpturës butaforike të realizmit socialist, prodhuar nga artistë të transformuar në tipografi paraindustriale, riprodhuese të regjimit, do të shitet për sytë e publikut shqiptar si “Arte të Bukura”. Këtë gjë do t’u mësojmë fëmijëve. Me sa duket, ky ishte qëllimi i ndryshimit të emrit. Na lejohet hamendësimi për aq kohë sa as ministrja, as drejtori, as ndonjë ofiqar tjetër i tyre, nuk jep asnjë informacion apo argument për arsyet e ndërrimit të emrit të Galerisë.
Në dijeni të përmbajtjes së saj, pa asnjë studim paraprak të materialit pamor që ruhet aty dhe pa i marrë aspak në konsideratë argumentet kundërshtuese, ndryshimi u bë fakt. Fakti u kthye në simbol të mosarsyes dhe injorancës që manifestohet pa turp. Me snobizëm province, pa e vrarë mendjen qoftë edhe për një fraksion sekonde, për të kuptuar dhe ndarë përvojën dhe qëndrimet e vendeve të tjera, në raport me trashëgiminë problematike të artit të propagandës, në padije dhe shurdhëri të plotë ndaj çdo mendimi ndryshe, u lëshuan drejt Parlamentit për spektaklin e radhës: krijimin e Muzeut të Arteve të Bukura. Pika që s’ju bie me gjithë muze!!
Në gjithë këtë histori, të bën përshtypje heshtja e Galerisë Kombëtare. Sipas teorisë së fundit të komunikimit, shpallur nga vetë drejtori i saj, gjithçka duhet kaluar në heshtje. I paprekshëm nga arsyeja, i shurdhët ndaj çdo problemi, memec në reagim, absurd në qëndrim, na shfaqet drejtori i saj. Me sa duket, ky qenka trendi më i fundit i drejtimit të institucioneve publike në këtë vend. Por s’vonoi shumë dhe Galeria bëhet përsëri protagoniste e budallallëkut të radhës. Këtë herë ishte një tender i Ministrisë së Kulturës, e cila tenderonte për konsultë ideore dhe “riformulimi hapësinor”, bashkë me godinën e Galerisë, edhe ekspozitën permanente me vepra nga koleksioni i saj. Studioja fituese u shpall “Atelier 4”. Studio, veçanërisht e specializuar në fitime tenderësh. Edhe Sir Norman Foster nuk ka fituar kaq projekte publike sa kjo studio. Sot e kësaj dite, ende nuk është bërë i njohur koncepti fitues i ekspozitës permanente të Muzeut as nga Ministria, as nga Galeria dhe as nga vetë firma fituese. Rasti i firmës arkitekturore, që fitoi tenderin e organizuar nga Ministria e Kulturës për konceptimin kuratorial të ekspozitës permanente të Galerisë së Arteve, përsëri kaloi pa asnjë shpjegim nga drejtori i Galerisë. Për ngjarjen në fjalë nuk kërkohej shpjegim, por ndjesë publike, shoqëruar me premtimin që histori të tilla fyese për opinionin publik dhe komunitetin artistik, nuk do të ndodhin më. Por mjerisht asnjë prononcim. Heshtje. Dhe ekspozita e mikut të radhës…
Për këto “bëma shqiptarie” jam prononcuar edhe më parë me artikuj e intervista. Por një tjetër ngjarje e shëmtuar në Galeri më shtrëngoi të reagoj kësaj here: mbyllja në fshehtësi të madhe e së vetmes ekspozitë të skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri, njohur ndryshe si Çmimi “Onufri”. Me gjasë, këtë vit ekspozita nuk do të zhvillohet. Ndoshta nuk do të organizohet më. I takon së shkuarës. Pa mëdyshje i përket historisë naive të artit bashkëkohor shqiptar. Art ky, që jo pak herë është instrumentalizuar për interesa individësh apo qëllime banale politike. Ata studiues që në të ardhmen do të duan të mësojnë apo shkruajnë historikun e artit bashkëkohor shqiptar, mund t’i referohen kësaj ekspozite në ato pak shkrime e botime të mbetura në Galeri, në rast se drejtori i ri nuk i ka hedhur të gjitha në plehra. Tek e fundit, kujt i hyn në punë historia në këtë vend!
Personalisht, nuk kam dëshirë t’u jap zë problemeve që kanë të bëjnë me Galerinë apo me aktivitetin e saj, pasi gjykoj se janë artistët ata që duhet të shprehen për këto çështje, përfshirë edhe mbylljen e Ekspozitës “Onufri”. Por, me sa duket, jetojmë në një kohë kur artistin po e lë zëri. Aktivizmi, reagimi protestues kundër arbitraritetit dhe abuzimit, karakteristikë dalluese e artistit kudo në Perëndim, ndër ne është zëvendësuar me zhgënjim, indiferencë, mbyllje goje. Individi zvogëlohet nën peshën e rëndë të halleve të përditshmërisë dhe pasigurisë konstante. Proverbi i lashtë kinez: “Po kontrollove ushqimin dhe frikën, kontrollon dhe minjtë”, na shërben si pasqyrim adekuat i realitetit tonë.
Por le t’i kthehemi Ekspozitës “Onufri”, iniciuar si konkurs, më pas si ekspozitë, herë kombëtare dhe herë ndërkombëtare, ekspozita e fundvitit kishte rreth çerek shekulli që organizohej. Krijuar diku nga viti 1993 si konkurs i arteve figurative, me disa çmime në kategori të ndryshme, vazhdoi e pandryshuar deri në vitin 1998, kur me një vendim të ministrit të kohës, Edi Rama, ndryshon nga konkurs kombëtar, në ndërkombëtar. Vite më pas, formati i aktivitetit ka pësuar ndryshime të shumta, të cilat janë reflektuar edhe në statutin e saj. Ndryshimet e fundit janë të vitit 2010, kur nga konkurs u kthye në ekspozitë, me fokus tek ekspozita, ku çmimi u trajtua si anësor. Në një lloj kuptimi, ndryshimet e herëpashershme reflektonin politikën e artit, të Ministrisë apo Galerisë në fushën e arteve pamore. Ka pasur përpjekje edhe për mbylljen e saj, madje një vit nuk u organizua fare. Kjo ekspozitë mund të shfaqë problematika në konceptim, pasi deri diku konsiderohet si një model i tejkaluar. Por në rast se Ekspozita “Onufri” nuk i përshtatet më skenës së artit në vend apo nuk është në përputhshmëri me objektivat e platformës kulturore qeverisëse aktuale të Ministrisë, Galerisë, ajo mund të ndryshojë. Madje edhe mund të mbyllet fare. Personalisht, nuk kam asnjë kundërshtim për këtë gjë, por së pari duhet bërë publike platforma kulturore e në rast se nuk ka platformë, ahere duhet bërë publike arsyeja e mbylljes, e cila duhej të shtrohej për konsultim të zgjeruar publik, së bashku me aktivitetin zëvendësues. Dhe, në rast se nuk ekzistojnë as arsye dhe as argumente për ta mbyllur këtë ekspozitë, ajo nuk mund të mbyllet.
“Onufri” nuk mund të zhduket nga kalendari i Galerisë për teka apo kapriçio të një drejtori. Përpjekja për ta kaluar në heshtje mosorganizimin e ekspozitës këtë fundvit, me shpresën idiote se do të harrohet, se askush nuk do të kujtohet për të, është tregues i qartë i gjendjes së rëndë, në të cilën ndodhet sot ky institucion. Cilido bën pyetjen e thjeshtë: Cila është arsyeja e mbylljes se Ekspozitës “Onufri”? Ideologjike? Morale? Financiare? Politike? Paaftësi planifikuese dhe organizative? Apo nuk hyn në preferencat e drejtorit? Dikush duhet të japë një shpjegim, një argument, një përgjigje.
“Onufri” është e vetmja ekspozitë me fokus skenën e artit bashkëkohor në vend dhe i vetmi çmim vjetor për artet pamore, që jepet nga Ministria e Kulturës dhe Galeria e Arteve. Mbyllja e tij kërkon zëvendësim. Mbyllja e tij kërkon alternativë. Kjo që po ndodh me këtë ekspozitë është e turpshme dhe njëherazi e shëmtuar. T’i vesh shkelmin aktivitetit më të rëndësishëm të arteve pamore të vitit, që me rregullore dhe statut duhet të organizohet prej Galerisë Kombëtare, në fshehtësi dhe mungesë arsyeje, është shfaqje e ulët arrogance dhe papërgjegjshmërie institucionale dhe shoqërore.
Sa për kujtesë: Galeria Kombëtare nuk është galeri private dhe nuk mund të trajtohet a përdoret si e tillë. Ajo është publike, na përket të gjithëve, mbahet në këmbë me taksat e shqiptarëve këndej kufirit. Sigurisht që drejtori në detyrë i Galerisë ka gjithë të drejtën ta mendojë si private, pasi ishte i paracaktuar në post. Ministria nuk përtoi t’i hynte një pune falsifikuese nëpërmjet organizimit të një konkursi fiktiv, të stisur, të sajuar, pavarësisht se gjithkush e kishte marrë vesh që drejtori ishte caktuar dhe konkursi ishte thjesht formalitet për të kopsitur letrat. Kinse u shpall fitues me një platformë, që nuk u bë kurrë publike. Madje filloi të organizojë edhe konferenca shtypi pa gazetarë, vetëm me stafin e Galerisë, që bënin pyetje dhe drejtori përgjigjej.
Për të kuptuar këtë institucion sot, mjafton t’i hedhësh një sy faqes online të webit të Galerisë Kombëtare: asnjë informacion. Faqja me titullin sfidues ndaj standardit shqip: “Ekspozitat e ardhme” është bosh. Kalendari ose nuk ekziston, ose mbahet sekret shtetëror. Publike s’ka asgjë. Terr nga viti që shkoi e terr nga viti që vjen. Dhe s’mjafton me kaq! Po të vështrosh pak më poshtë faqes hyrëse të webit të Galerisë, me gjasë, me porosi të vetë drejtorit, dikush, për hatër të tejdukshmërisë publike, është kujdesur të hedhë në web edhe një titull prekës, që shpirti të lëshon tek e lexon. Quhet “program i transparencës”. Po të klikosh në të, gjen gjithfarë gjepurash dhe ligjesh që s’i zbaton kush, por vetëm kalendarin vjetor të Galerisë nuk e gjen kurrkund. Madje, as emrat e anëtarëve të bordit të saj nuk figurojnë. Kalendari vjetor i ekspozitave ruhet me një fshehtësi admiruese, që edhe shërbimet inteligjente do ta kishin zili.
Platforma e vetme që po vihet në funksionim në Galeri është: Zëvendësimi dhe përdorimi gradual i institucionit publik si privat. Izolimi i së vetmes hapësirë publike, deri para pak kohësh ende jashtë kontrolli, prej individësh të lidhur me pushtetin, kokë e këmbë të korruptuar, që kanë shtënë në dorë gjithçka lidhet me skenën dhe institucionet e artit në vend. Ky është i vetmi projekt afatgjatë, që do zbatohet vitet e ardhshme në Galeri dhe jashtë saj. Parë në këtë pikëvështrim, merr kuptim edhe asgjësimi i Ekspozitës “Onufri”. Ato pak ekspozitat që po paraqiten në vijimësi në Galeri, janë pa përmbajtje, neutrale, që nuk shqetësojnë askënd, bërë prej artistësh sipërfaqësorë, që e kuptojnë artin si trend, jo si ide, që shiten me famë e lustër, puna e të cilëve është përshtatur e akomoduar për t’u mbathur si këpucë e pushtetit.
Mbyllja e Ekspozitës “Onufri” është ngjarje e zymtë për skenën e artit në vend.
Ndaj, e ftoj komunitetin artistik të reagojë, ashtu sikundër ftoj drejtorin e Galerisë të bëjë publike arsyet e mbylljes.
Erzen, mjaft e shite heshtjen për mençuri! Ti nuk je as i mençur dhe