18 Dhjetor 2024

Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar sot (17 Dhjetor) një takim me pedagogë dhe studentë, ku u diskutua situata e arsimit të lartë në Shqipëri dhe mungesa e përmbushjes së premtimeve nga qeveria për arsimin.

Gjatë këtij takimi, studentët njoftuan një protestë masive për datën 19 dhjetor, në orën 12:00, për të kërkuar përmbushjen e premtimeve të paktit për universitetin të vitit 2018, i cili nuk është realizuar ende, dhe për të kundërshtuar uzurpimin e hapësirave universitare për projekte të tjera.

Protesta e planifikuar do të nisë nga godina “Liria” në kampusin universitar të Tiranës dhe do të përshkojë rrugën drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentët do të kërkojnë përmbushjen e premtimeve të qeverisë, si dhe ndalimin e shkatërrimit të hapësirave universitare dhe ndërhyrjeve të jashtme që nuk kanë lidhje me interesat e studentëve.

Desada Xhetani, senatore e Universitetit të Tiranës dhe përfaqësuese e FRPD, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë dhe theksoi se nuk është e drejtë që qeveria t’i tallë dhe të mos i vendosë si prioritet asnjëherë.

“Dua t’ju falenderoj të gjithë ju pedagogë që jeni këtu për mbështetjen tuaj dhe këtë mbështetje unë do ua kërkoj edhe më datë 19 dhjetor, kur ne studentët kemi thirrur protestën tonë për këtë pakt që nuk është mbajtur që nga viti 2018.

Më datë 19, në orën 12:00, ne të rinjtë, studentët, do të marshojmë nga godina Liria drejt Ministrisë së Arsimit për t’ia përballur në fytyrë të gjitha gënjeshtrat dhe padrejtësitë që janë bërë gjatë këtyre viteve.

Nuk është e drejtë që qeveria të na tallë dhe të mos na vendosë si prioritet asnjëherë.”- tha ajo.