Qeveria pranon gropën në ekonomi për shkak të izolimit, 87 mijë persona humbën vendet e punës.Shtyhet afati për pagën e luftës.
Qeveria pranon gropën në ekonomi për shkak të izolimit, 87 mijë persona humbën vendet e punës.Shtyhet afati për pagën e luftës.
3 SHTATOR 2020
Shtyhet sërish afati i korrigjimit të të dhënave për të përfituar nga paketat financiaret të luftës. Janë 1.803 punonjës dhe pronarë që ende nuk kanë marrë pagën prej 40 mijë lekësh dhe 522 punonjës që ende nuk kanë përfituar 3 pagat nga 26 mijë lekë, për shkak se kanë regjistruar gabim të dhënat në formularin e aplikimit. Për këtë arsye Drejtoria e Tatimeve u dha një mundësi për korrigjim të të dhënave, afat i cili përfundoi në 31 gusht. Por pas vlerësimit të statistikave Tatimet konstatuan se jo të 2300 aplikantët i kishin korrigjuar këto të dhëna. Kështu në kuadër të synimit që çdo përfitues do të marri pagën e luftës, DPT vendosi të shtyjë sërish afatin. Sakaq ditën e djeshme përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare Administrata e Tatimeve deklaroi se afati i fundit për korrigjimin e të dhënave të llogarive bankare nga punonjësi apo punëdhënësi është data 25 shtator. “Shtyhet afati për korrigjim të të dhënave bankare nga individët përfitues të ndihmës financiare sipas paketave nr. 1 dhe 2. Informojmë të gjithë individët përfitues të ndihmës financiare sipas paketave 1 dhe 2, të cilët ende nuk e kanë marrë masën e caktuar të përfitimit për shkak të plotësimit në mënyrë të pasaktë të të dhënave të llogarisë bankare (emër banke dhe/ose IBAN), që afati për korrigjim të të dhënave të llogarisë bankare shtyhet deri në datën 25 Shtator 2020”, thuhet në njoftim. Kështu edhe njëherë DPT u bën thirrje qytetarëve që pasi të bëjnë korrigjimet të verifikojnë sërish nëse të dhënat janë ndryshuar dhe menjëherë të plotësojë formularin, të cilin e dërgojnë në zyrat e DPT dhe automatikisht paga e përfituar do të kalojë në llogarinë e tyre bankare. “Ftojmë individët përfitues, sipas listave bashkëngjitur këtij njoftimi, të verifikojnë të dhënat e tyre dhe të plotësojnë menjëherë informacionin e kërkuar të formularit të të dhënave bankare. Pas dorëzimit të këtij formulari do të vijohet menjëherë me kalimin në mënyrë automatike të masës së përfitimit”, theksohet në njoftim.
Pandemia solli rritje rekord të papunësisë
Pavarësisht paketave financiare që qeveria miratoi për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të dëmtuar nga pandemia shumë prej tyre nuk kanë mundur të mbajnë stafin në punë. Dëmet e mëdha financiare që solli koronavirusi i ka detyruar një pjesë të mirë të bizneseve të përgjysmojnë staf ose të mbyllin përfundimisht aktivitetin. Në këtë situatë, rrjedhimisht është cenuar rëndë tregu i punësimit dhe kështu numri i të papunëve ka kapur shifra rekord. Këtë recesion të thellë ekonomik e ka pranuar dhe vetë qeveria. Ditën e djeshme ministrja e Financave, Anila Denaj gjatë një takimi bilateral me ministrin e Punëve dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, Skënder Raçica, tha se vetën në 2 muaj kanë mbetur të papunë mbi 87 mijë qytetarë. Ndërsa theksoi këtu se pjesa më e madhe i përkasin sektorit të turizmit dhe fasonerisë. “Gjatë muajve maj dhe qershor janë larguar 87 mijë persona nga puna. Kujtojmë se vendi ynë në atë periudhë ka qenë në karantinë dhe shumë prej bizneseve nuk u lejuan të zhvillonin aktivitetin e tyre për shkak të masave për të parandaluar pandeminë e COVID-19, duke marrë pagën e luftës. 119 mijë biznese ishin aktive deri në fund të korrikut, ndërsa fasoneritë dhe kryesisht ata që janë në prodhim janë sektorët më të goditur nga pandemia e COVID-19. Gjithashtu edhe turizmi ishte ndër më të goditurit nga mungesa e turistëve për shkak të masave të marra nga shumë shtete për ndalimin e udhëtimeve”, deklaroi Denaj. Ndër të tjera Denja tregoi se deri më tani ekonomia ka pësuar një rënie 5%, por që me punë do mund të rikuperohet brenda vitit 2021. “Në projektbuxhetin afatmesëm ku përcaktohen edhe parametrat makrofiskalë, të cilët në fund dhe janë angazhime edhe ligjore është e rëndësishme të shikohet se si treguesit vijnë të përmirësuar. Ne kemi parashikuar këtë vit një recesion që është 4.5-5%. Por ne besojmë fort se me aktet normative të këtij viti dhe një mbështetjeje buxhetore të konsiderueshme për rindërtimin përgjatë këtyre dy viteve ne mund të mundësojmë një rimëkëmbje më të shpejtë në disa sektorë”, tha ajo.
Gazeta Sot