25 Tetor 2022
Ka hequr si kriter përjashtues nga gara edhe nisjen e një “procedimi penal” per kanditatet, duke lënë vetëm kriterin e “të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Qeveria është duke pranuar shpopullimin e vendit kryesisht nga të rinjtë, të cilët më parë zgjedhin të largohen jashtë për një jetë më të mirë se sa të konkurrojnë për të punuar në Shqipëri dhe marrë një pagë në administratë.

Ky fakt është konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë, e cila përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik pranon vakancat dhe mungesën me rreth 400 punonjës në strukturën e Policisë së Burgjeve në 22 institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend. Mungesa e stafit dhe vakancat në këtë sektor kanë ngritur shqetësimin e ruajtjes së rendit dhe sigurisë në burgje.

“Gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ka sjellë problematika lidhur me pranimin në Policinë e Burgjeve, pezullimin, rikthimin apo përparësinë në pranim. Problematika, të cilat kanë sjellë si pasojë mungesa në strukturën e Policisë së Burgjeve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në strukturën e Policisë së Burgjeve janë rreth 400 vende vakante ku disa institucione si IEVP Fier, Peqin apo Reç kanë përreth 70-80 mungesa secili. Vakancat shoqëruar dhe me lejet vjetore apo mungesat në punë për shkak të mungesës së aftësisë së përkohshme ka sjellë si pasojë që një pjesë e IEVP-ve të kryejnë detyrat në fushën e sigurisë me 25 –30 % mungesa në staf, duke hasur në vështirësi serioze në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, ulje të cilësisë së shërbimit, rënie të vigjilencës etj. Nisma ligjore ka si qëllim shmangien e mëtejshme të vakancave në strukturën e Policisë së Burgjeve. Rrjedhimisht dhe shmangien e situatave ku mund të cenohet rendi dhe siguria në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në relacion shpjegues.

KRITERET QË HIQEN

Dy vite pas miratimit të ligjit nr. 80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, Ministria e Drejtësisë kërkon ndryshime të kritereve për pranimin e punonjësve të rinj në burgje. Konkretisht në projektligjin e ri, qeveria kërkon të shfuqizojë pikë “ë” në nenin 29 që bën fjalë kriteret e pranimit të personave që kanë të drejtë të konkurrojë për t’u pranuar në Policinë e Burgjeve dhe ku thuhet se: është nën moshën 35 vjeç. Në relacion, Ministria e Drejtësisë e shpjegon me faktin se kriteri i moshës ka qenë një ndër shkaqet që ka skualifikuar shumë kandidatë nga konkurrimi për të plotësuar vakancat me punonjës Policie në strukturën e burgjeve duke pranuar dështimin e zëvendësimin e të larguarve. Po ashtu, qeveria ka pranuar se numri i atyre që kanë qenë të interesuar për një të qenë “polic burgu” ka qenë shumë herë më i ulët se numri i vendeve të lira që kishte shpallur DPB, duke pranuar edhe shpopullimin e popullsisë dhe kryesisht të rinjve.

Për të zgjidhur problemin e largimit dhe refuzimit që të rinjtë i kanë bërë uniformës së “policit të burgut”, qeveria ka gjetur si zgjidhje heqje barrierës që lidhet me moshën e konkurrentëve pak ditë pasi ajo korrigjoi me rritje të ndjeshme, barrierën e madhe të pagës së ulët. “Pavarësisht se kanë kaluar më pak se dy vite nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 80/2020, në praktikë janë shfaqur disa problematika, kryesisht sa i takon rekrutimit të punonjësve. Rezulton se në 3 proceset e fundit të rekrutimit të punonjësit të rolit bazë në Policinë e Burgjeve numri i pjesëmarrësve ka qenë disa herë më i ulët se numri i vendeve të lira që kishte shpallur DPB, duke sjellë si pasojë zhvlerësimin e procesit të konkurrimit. Gjithashtu, është konstatuar se shumë konkurrentë janë skualifikuar nga e drejta për konkurrim për shkak të kriterit të përcaktuar në nenin 29, shkronja ‘ë’ e ligjit nr. 80/ 2020, konkretisht kriteri i moshës nën 35 vjeç”, thuhet në relacion.

Ky nuk është ndryshimi i vetëm pasi qeveria gjithashtu ka hequr si kriter përjashtues nga gara nisjen e një “procedimi penal”, duke lënë vetëm kriterin e “të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Projektligji i ri u heq të drejtën e mbajtjes dhe përdorimit të armës jashtë orëve të shërbimit disa kategorive të punonjësve. Do të shfuqizohet pika 2 e nenit 14 ku theksohet se: Punonjësit e strukturës së posaçme në Policinë e Burgjeve, grupet e shoqërimit, përgjegjësit e shërbimit në regjimin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe forcat operacionale e mbajnë armën në përdorim personal edhe jashtë orëve të shërbimit”.

Nga: Kelment BAÇI