Qeveria projekt vendim për godinat mbi 50-vjeçare. – I hapet rrugë shembjes së tyre nëse nuk janë të sigurta. – Asnjë përcaktim se çfarë ndodh me truallin
27 Shkurt 2023
Një projekt-vendim qeverie, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i hap rrugë prishjes së godinave që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.
Në dokument thuhet se ato do i nënshtrohen auditimit teknik, që parashikon kryerjen e një ekspertize të thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin e tyre mbajtës. Në fund të ekspertizës do të vlerësohet nëse objekti i përmbush kushtet teknike, ose në të kundërt do i nënshtrohet riparimit ose prishjes.
Projektvendimi i siguruar nga SCAN Tv, është bazuar pikërisht në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, por që nuk përcakton asnjë proces të tillë.
Subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do të përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve. Ndërkohë që, auditimi teknik do i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës.
“Instituti i Ndërtimit me kryerjen e oponencës jep mendimin e tij, i cili mbizotëron mbi aktauditimin teknik dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, – thuhet ndër të tjera në dokument. Pas kryesrjs së oponencës dhe analizimit ekonomiko-financiar mbi mundësinë më optimale për të riparuar apo prodhur dhe rindërtuar objektin, Instituti i Ndërtimit informon ministrinë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit apo bashkinë nën juridiksionin e të cilit ndodhet territori ku ngrihet objekti, mbi konkluzionin e arritur”, thuhet në projekt-vendim.
Vendimi për prishje të objektit mund të merret në rast se vlera për riparim është e barazvlefshme ose më e madhe se vlera për ndërtimin e tij. “Për kryerjen e prishjes, riparimit ose ndërtimit të objekteve, nga nisja e këtyre proceseve, deri në procesin përfundimtar të certifikimit të punimeve, institucionet përgjegjëse zbatojnë procedurën dhe rregullat sipas legjislacionit në fuqi”.
Gjithsesi projektvendimi nuk specifikon se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës dhe pronarët e tyre.
Gazeta Panorama