Qeveria që mblidhet në restorant peshku? – A eshte serioze! –
Qeveria që mblidhet në restorant peshku? – A eshte serioze! –
Nga: Afrim Krasniqi.
Shqipëria ka kryeministri, ka mbi 15 ministri, ka mbi 130 institucione publike, ka universitete, akademi, institute, salla muzeale, e plot ndërtesa e mjedise të tjera shumë më komode, serioze dhe funksionale, të cilat janë financuar dhe mirëmbahen me taksat tona. Si të mos mjaftojnë asnjë prej tyre, vendi ynë mbetet unik në sjelljen abuzuese me shtetin, me solemnitetin e institucioneve, me simbolet dhe me etiken ndaj tij: ja shembulli tipik, – mbledhje qeverie në një hotel privat në kompleksin e një kompanie tatimpaguese në periferinë e Elbasanit. Edhe vetë Elbasani ka bashki, qark, prefekturë, sallë teatri, universitet, etj, etj, por qeveria vendos të takohet në një mjedis privat, në një biznes privat, larg zyrave të shtetit.
Mbledhjet e qeverisë, edhe kur janë fiktive dhe shoë mediatik si këto tonat, – janë akte me rëndësi për sigurinë kombëtare, janë objekt ruajtje nga SHISH, Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit, janë aktivitete me rëndësi për administratën mbështetëse dhe janë një prej detyrave kushtetuese të çdo qeverie. Me simbolikën e mbledhjes së radhës në restorantin e peshkut, të gjitha këto koncepte bien, qeverisja bëhet jo serioze, shteti fyhet në integritetin e tij dhe se vetë mbledhja është në konflikt interesi. Cili zyrtar mund të shkojë për kontroll tatimor apo kontroll tjetër ligjor në një biznes ku klient i përzgjedhur është e gjithë qeveria? Cili është mesazhi që marrin bizneset konkurruese kur qeveria zgjedh një biznes privat për të qenë klientja e tij? Sa serioze është sjellja shtetërore dhe sa seriozisht mund ta marrin një qeveri që bën akte të tilla jashtë çdo etike zyrtare? Sa është kosto e aktivitetit dhe kush paguan për to? A kemi abuzim? Përse shpenzimet nuk janë publike, donacionet nuk janë publike dhe çfarë fshihet pas qeverisë që shëtit në bizneset e klientëve që më pas fitojnë miliardat e PPP?
E kemi një shembull domethënës: ca vite më parë qeveria e njëjtë u mblodh në një hotel të palicencuar në Tiranë. U deshën miliona për dekor e përgatitje, mbledhja zgjati 2-3 orë dhe në fundin e saj, një konflikt verbal solli pamundësinë e dhënies së licencës për hotelin. Edhe sot pas 4-5 vitesh hoteli është pa licencë dhe në pritje të qeverisë, e cila ishte klientja e parë dhe e fundit e tij.
Alibia se aty është mbledhje informale partie nuk vlen, për sa kohë që PS ka zyra në Tiranë e Elbasan, dhe secili zyrtar ka shkuar aty me makinën e shtetit, faturën e paguan shteti, shoqëruesit, garda e policia janë zyrtarë të shtetit, vendimet lidhen me shtetin. Edhe simbolika, – bashkim i ministrave që ikin dhe vijnë nuk është gjetja e duhur në etikën shtetërore, – sepse sipas kushtetutës kemi vetëm ministra të dekretuar për emërim ose shkarkim, por asnjë dekret nuk ka ende vlerë derisa nuk është votuar në Kuvend.
Ju kujtohet slogani i fillimit 2018? Ne do bëjmë shtet, – ishte. 2019 po nis ndryshe, – shteti jemi ne, duke nënkuptuar me fjalën “shtet” fuqinë e pushtetit për të imponuar me forcë si norma e parime pasionet, dëshirat, projektet individuale, e aktet të tjera gati delirante të një pakice individësh që duket se kanë humbur sensin e kohës, sensin e masës, sensin e përgjegjësisë dhe natyrisht edhe sensin e qeverisjes.