Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Durrës dhe Tiranë
Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Durrës dhe Tiranë
27 nentor 2019
Më shumë se 24 orë pas tërmetit, Kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku kryeministri shpjegoi se i ishte dashur pak kohë për reflektim dhe se dje nuk ishte momenti për ta bërë një gjë të tillë.
Teksa ka bërë bilancet e humbjeve në njerëz, kreu i qeverisë pohoi se 45 persona janë shpëtuar nga rrënojat, duke u nxjerrë të gjallë, ndërsa shtoi se dita e djeshme ka qenë ndër momentet më të errëta.
“Dua t’u them të gjithëve që e kanë bërë të vetën këtë tezë pafajësish se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme dhe pa na dhënë kohën të bëjmë gjërat me radhë.
Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje faktikisht ne kemi pasur komunikim me njëri-tjetrin, por vetëm në rrugë digjitale sepse të gjithë kemi qenë në pikë të frontit.
Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës.
Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyre e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës.
Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave.
Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.
Gazeta Dita