Qeveria shqiptare e shikon si “ngjarje të pakëndshme” denoncimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila foli dje për përpjekje për të manipuluar garën për kryesuesin e ri të SPAK.
23 Nentor 2022
Qeveria shqiptare e shikon si “ngjarje të pakëndshme” denoncimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila foli dje për përpjekje për të manipuluar garën për kryesuesin e ri të SPAK.
I pyetur se a do qeveria shqiptare në krye të SPAK të “preferuarin e saj” dhe a ka një qëndrim për deklaratën e Kim, Peleshi u kujdes të sqaronte se drejtësia nuk është çështje e një grupi apo një institucioni por e çdo qytetari.
Peleshi shmangu përgjigjen drejtpërdrejt por tha se “ngjarjet e pakëndshme shqetësojnë edhe qeverinë shqiptare”.
Pyetje: A ka një qendrim qeveria për këtë deklaratë a doni ju të preferuarin tuaj?
Niko Peleshi: Jam këtu për çështje të qeverisë por jo jashtë temës. Drejtësia është brenda temës dhe na intereson të gjithëve. Reforma në Drejtësi nuk ka mbaruar është dinamike, ju siguroj dhe shpreh vullnetin e maxhorancës që jemi të vendosur ta vazhdojmë këtë reformë siç e nisëm. Sot është finalja, do vazhdojmë ta mbështesim, çdo ngjarje e pakëndshme ose e vëmendje e shtuar dhe e kërkuar na shqetëson edhe ne. Jemi në krahun e përsosjes së reformës.
Ambasadorja Yuri Kim lëshoi një sinjal për zhvillimin e garës për kreun e ri të SPAK. Kim tha se procesi duhet të jetë transparent dhe ka bërë thirrje për mos manipulimin e tij. Postimi i Kim u pasua nga një kronikë e Zërit të Amerikës që shpjegonte se ambasadorja amerikane ka një shqetësim se gara në SPAK mund të manipulohet nga praktikat e vjetra.
Gara për kreun e ri të SPAK ka shumë pikëpyetje duke nisur me mungesën e interesit fillimisht të prokurorëve për të garuar e për të vijuar më pas me emrat që kanë hyrë në lojë për të zëvendësuar Arben Krajën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Të tre janë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreut të ri të SPAK është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje dhe zgjidhet me shumicën e votës së anëtarëve të KLP. Trupa e KLP do të dëgjojë platformat e tyre dhe më pas do të votojë. Kush merr shumicën, merr drejtimin e SPAK.