Qeveria thjeshton procedurat për regjistrimin e punonjësve të huaj në Shqipëri. -Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte rreth 15 mijë.
3 Nentor 2022
Sipas udhëzimit, të huajt mund të deklarohen vetë.
Qeveria ka thjeshtuar burokracitë për regjistrimin e punonjësve të huaj.
Një udhëzim i Ministrisë së Financave, i marrë që më 22 qershor, por i publikuar këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare redukton si kohën, ashtu edhe procedurat.
Sipas udhëzimit, të huajt mund të deklarohen vetë, ose përmes punëdhënësit të tyre në sistemin online të Agjencisë Kombëtare të Punësimit. Deklarimi duhet të bëhet brenda 7 ditëve nga nisja e punës.
Konfirmimi jepet përmes rrugëve elektronike brenda pesë ditëve nga ana e autoriteteve. Dokumentacionet që kërkohen janë mjet identifikimi dhe kontrata e punës.
Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte rreth 15 mijë. Në krahasim me vitin 2020, rritjen më të madhe e kishin shtetasit nga Bangladeshi me 5 herë më shumë.
Thjeshtimi i procedurave për punonjësit e huaj është kërkuar nga biznesi, sidomos ai fason. Edvin Prençi, përfaqësues i këtij biznesi tha për Euronews Albania se janë të paktën 25 mijë vende pune të lira në këtë sektor.
a.m/dita