Qeverisë i duhet patjetër një armik i dukshëm

03/04/20

Gazeta Mapo.al

Pas një beteje të ethshme tre javore, me armikun e padukshëm, ku qeveria dhe në veçanti Rama mobilizoi gjithçka përsa i përket masave represive, dhe kufizimeve ndaj qytetarëve, ku konsumoi orë të tëra live, me këshilla, me receta, me lutje, me parashikime, vajtime e kujë, pa lënë mbrapa rrëfimin e stresit që po heq me ata që ankohen për bukë, pas një muaji të paralizuar ku ende askush nuk ka parë një qindarkë me sy, po vetëm fjalë, kur ka lëshuar dhjetëra bujurdi e fermanë ndalimi, ndalimi e ndalimi, më në fund Rilindja u lodh. Hoqi dorë.

Nuk mund të vazhdohet më beteja ndaj armikut të padukshëm, pa armën më të fortë të propagandës, që është armiku i dukshëm. Dhe mbas kësaj kohe, ku nuk mund t’i vërsuleshin opozitës, për shkak se PD nuk u la asnjë shteg, me qendrime të pashembullta konstruktive, jo-përfituese, duke ngritur shqetësime qytetare e sidomos duke propozuar zgjidhje, Rama me të tijtë i ranë në të, se po humbnin shumë terren.

Dhe prej dy ditësh, nxorën sërish në treg kundërshtarin politik, armikun e dukshëm, për të luftuar armikun e padukshëm. Kësaj radhe pa bërë asnjë kujdes, pa asnjë grimcë elegance, por hapët dhe fshatçe.

Merreni me mend, çalltisi edhe Spiropali që kish ca ditë në hije. Pra Rama hodhi në sulm tërë artilerinë, më të hidhurën që ka. Po shihni sa difektoze është strategjia tashmë e vjetër dhe e zbardhulët.

Opozita zbulon se Ministria e Mbrojtjes i jep tenderin e ushqimeve 1.5 milionë euro, pa garë, një kompanie nga Tetova që merrej me kompjutera, dhe bash 6 ditë para shpalljes shton aty në objekt dhe miell e makarona, fiton pra kjo, teksa në treg operojnë 35 mijë firma vendase, dhe del Xhaçka e nuk jep asnjë sqarim për këtë procedurë pak të thuhet e dyshimtë, por hedh vrer e mallkime ndaj PD, e akuzon këtë forcë politike rëndë, se si nuk i vjen turp që flet kur ata po punojnë, po luftojnë.

Opozita kërkon që qeveria të anulojë koncesionet qindra milionë euroshe për një grusht klientelist, dhe t’i kanalizojë fondet për njerëzit, Rama nuk përmbahet dhe lëshon fjalorin e tij më nervoz të mundshëm e fyen dhe etiketon PD-në asisoj si të ishte java e fundit e një fushate mizore zgjedhore.

Dhe këtu nxjerr padashje krye shqetësimi i vërtetë që ka. Kur thotë se ata, synokan ta vënë popullin kundër tij. Pra tregon se ku i dhemb më shumë. Që është pushteti personal.

Nuk dihet se sa efektive do të jetë, që në një luftë, përveç armikut të padukshëm, qeveria të ngrehë armët edhe ndaj armikut të dukshëm. Po mesa duket, prioritet për rilindjen mbetet politika dhe karrigia, ndaj më leverdi kanë të dërrmojnë opozitën se sa të ndalin mesa mundet koronavirusin, të gjejnë zgjidhje e të ndihmojnë njerëzit. E gjatë, e lodhshme dhe e mundimshme kur e mendon kjo rrugë.