Qokat e Gentit/ Pa status e pa mandat, ja diplomatët që përfaqësojnë Shqipërinë, lidhjet me politikën
Qokat e Gentit/ Pa status e pa mandat, ja diplomatët që përfaqësojnë Shqipërinë, lidhjet me politikën
Tetor 28, 2019
Nga Boldnews.al
Shteti shqiptar përfaqësohet në arenën ndërkombëtare, sidomos në vendet kryesore, me të cilat janë edhe raportet më të rëndësishme, me një konglomerat ambasadorësh me mandat të përfunduar, me persona pa status diplomatik, me ish-misse, ish-sekretare në zyrat e ministrisë së Jashtme, si edhe në shumicë me familjarë e të afërt të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Një denoncim i mbërritur në adresën e “Boldnews.al”, i shoqëruar me emra dhe fakte konkrete, dëshmon gjendjen shumë të vështirë në të cilën gjendet përfaqësimi shqiptar në botë, e shoqëruar kjo edhe me dështimet spektakolare në rrugën drejt integrimit të Bashkimit Europian, si edhe në mungesën e investimeve të huaja.
Ministri i Jashtëm, në detyrë, Gent Cakaj, punën e parë (dhe të vetme) ka bërë deri më tani konferencat për media, ku njofton largimin nga puna të njerëzve, të cilët, sipas tij, nuk plotësojnë kushtet për të qenë në shërbimin diplomatik.
Konferencat mediatike duket se kanë qenë thjesht dhe vetëm “flluska sapuni”. Arsyet gjenden në vijim, tek emrat dhe situatat që shoqërojnë denoncimin publik të mbërritur në “Boldnews.al”.
Ambasadorë me mandat të përfunduar
Ligji për “Shërbimin e Jashtëm” parashikon që mandati i ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë është 3 vjet. Më poshtë është lista e ambasadorëve shqiptarë në vende të ndryshme, kryesisht të Europës, me mandat të përfunduar. (lista është hartuar sipas rendit alfabetik të shteteve, ku gjenden këta ambasadorë);
– Në Arabinë Saudite, ambasadori Sami Shiba është me mandat të përfunduar
– Në Austri, ambasadori Roland Bimo është me mandat të përfunduar dhe ka mbushur moshën e pensionit;
– Në misionin e Brukselit (BE), ambasadorja Suela Janina është me mandat të përfunduar
– Në Egjipt, ambasadori Eduard Sulo është me mandat të përfunduar;
– Në Francë, ambasadori Dritan Tola është me mandat të përfunduar
– Në Gjermani, ambasadori Artur Kuko me mandat të përfunduar;
– Në Holandë, ambasadore është Ada Sakiqi, e cila e ka përfunduar mandatin
– Në Hungari, ambasadori Arian Spasse është me mandat të përfunduar
– Në Itali, ambasadorja Anila Bitri Lani (bashkëshortja e publicistit Remzi Lani), me mandat të përfunduar
– Në Poloni, ambasadorja Shpresa Kureta e ka përfunduar mandatin
– Në Rumani, ambasadori Ilir Tepelena, gjithashtu me mandat të përfunduar
– Në Rusi, ambasadori Arben Gazioni qëndron në detyrë jashtë mandatit
– Në Serbi, Ilir Boçka është ambasadori me mandat të përfunduar
– Në Slloveni, ish-ushtaraku Pëllumb Qazimi vijon detyrën e ambasadorit jashtë mandatit
– Në Sllovaki, ambasadorja Enkeleda Baduni Mërkuri është me mandat të përfunduar.
– Në Zvicër, ambasadori Ilir Gjoni ka përfunduar mandatin
– Në Kuvajt, ambasador është Saimir Bala, gjithashtu me mandat të përfunduar
– Në Kosovë, ambasadori Qemal Minxhozi qëndron në detyrë, megjithëse i ka përfunduar mandati
– Në Izrael, ambasador Bardhyl Canaj ka përfunduar mandatin
– Në Japoni, ambasadori Gjergj Teneqexhiu ka përfunduar mandatin
Ambasadorë pa status
Ligji për “Shërbimin e Jashtëm”, në nenin 31 të tij parashikon që, në misionet diplomatike dhe konsullore, në raste të veçanta, të emërohen ekspertë të jashtëm. Por, ky rregull përjashtimor, në diplomacinë e drejtuar nga Gent Cakaj, është kthyer në një normalitet, gjithnjë sipas denoncimit të mbërritur në adresën e “Boldnews.al”. Vijon lista:
– Në misionin në OSBE (Vjenë), ambasadori Igli Hasani është pa status diplomati
– Në Suedi, ambasadori Virgjil Kule është pa status diplomati
– Në Turqi, ambasadori i shumëpërfolur së fundmi, Genti Gazheli, është pa status diplomati dhe gjithashtu me mandat të përfunduar. Publikisht është shpërndarë informacioni se dha dorëheqjen, pas skandalit të publikuar në emisionin “Le Iene”, për rastin e fëmijës Alvin Berisha në një nga kampet e Sirisë.
– Në Çeki, ambasador Ilirian Kuka nuk ka status
– Në Kinë, ambasador Selim Belortaja është pa status
– Në Misionin Shqiptar në NATO (Bruksel), ambasador është ish-shefi i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, pa status
Emërime “tarafi”
Një numër i madh zyrtarësh drejtues dhe administrativë në misionet shqiptare në botë janë kryesisht persona që kanë lidhje me pushtetin, familjarë apo lidhje miqësore të zyrtarëve të lartë qeveritarë.
– Në Danimarkë, ambasadore Elida Petoshati është familjare me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Armand Skapi, si edhe me një ndër koordinatoret në Kryeministri, Valbona Petoshati.
– Në Francë, diplomati Alket Çani është vëllai i gazetarit Arian Çani, drejtues i emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan;
– Në Greqi, ambasadorja Ardiana Hobdari njihet si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Në këtë seli është diplomat edhe Eno Çollaku, i njohur si aktivist i Forumit Euro Socialist (FRESH)
– Në Austri, këshilltare diplomate është Aida Sakja, motra e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja
– Në selinë e Brukselit është diplomate Blerina Boçi, ish-sekretarja e shefit të kabinetit të Ministrisë së Jashtme;
– Në Gjermani është Konsull Elinda Guri, e njohur si aktiviste e FRESSH, si edhe sekretar i Parë, Kastriot Noli, i cili deri disa vite më parë shprehte publikisht qëndrimet e tij të djathta.
– Në Holandë është emëruar diplomate pa status Kejsi Ziu, ndërkohë që deri pak kohë më parë ka qenë edhe Daniela Matmuja Tafçiu, e afërm e Mimi Kodhelit.
– Në Hungari është emëruar diplomat pa status Viliem Kurtulaj, i cili i është bashkuar qeverisë pas kritikave publike që ka lëshuar kundër saj.
– Në Kanada është Sekretare e parë, pa status diplomat, Arlinda Dega, vajza e Ilda Dega, Drejtore e Buxhetit dhe Financës MEPJ.
– Në Itali, diplomatët Gentiana Mburimi, Ledia Mirakaj, Irida Xheneti dhe Artur Bardhi janë me mandat të përfunduar. Së fundmi, ministri Gent Cakaj ka emëruar diplomat Anton Koliqin, familjar i Paskal Milos. Gjithashtu, në Itali është emëruar pa status edhe Armando Memushi.
– Në Konsullatën e Mynih është emëruar diplomat konsull Dashnor Ibra, i cili është shkarkuar më parë nga Ambasada në Romë.
– Në Vatikan, ambasadore është Majlinda Dodaj, motra Aleksandër Frangajt, pronar i TV Klan.
– Në Misionin shqiptar në Këshillin e Evropës (Strasburg) është diplomate Sidita Gjipali motra e Gledis Gjipalit, ish-bashkëpunëtor i Ditmir Bushatit në “European Movement Albania” (EMA).
– Në Bullgari është emëruar diplomate pa status Arxhilda Rringaj
– Në Kosovë, është diplomate Klodiana Karaj, ish-sekretare e ish-Ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj
– Në Kroaci, ambasador është Riza Poda, i afërm i Presidentit Ilir Meta
– Në Maqedoninë e Veriut, ambasador është Fatos Reka, i afërm i Endri Fugës, Drejtor i Komunikimit i Kryeministrit Edi Rama
– Në Spanjë janë dy diplomate pa status, emëruar nga jashtë; Plator Nesturi, ish-zëdhënës i ish-Kryeprokurores Ina Rama dhe Evi Sadushi, vajza e Sokol Sadushit, drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
– Në selinë e Uashingtonit (SHBA) është diplomate me mandat të përfunduar Mamica Toska, motra e ish-ministrit të Rendit, Igli Toska
– Në selinë e Nju Jorkut është ambasadore Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit Ismail Kadare
– Në Selanik, Gent Cakaj emëroi Konsull të Përgjithshëm Arqile Sota, i shkarkuar për nxjerre dokumentacioni sekret nga Ministria e Jashtme.
– Në Emiratet e Bashkuara Arabe është ambasador Ermal Dredha, djali i ish-kryetarit të PS së Vlorës, Neki Dredha.
– Në Stamboll është Konsulle e Përgjithshme Blerta Kadazadej, ish-drejtoreshë Ekonomike në 6 vitet e fundit në Ministrinë e Jashtme, një nga bashkëpunëtorët e afërta të Ditmir Bushatit
– Në Angli, ministri Gent Cakaj ka emëruar diplomate pa status Balciana Rakipi, vajzën e deputetit Aqif Rakipi.
– Në Konsullatën e Milanos, Konsullja Anila Pojani është pa status diplomati
– Në Misionin e Gjenevës, ambasadorja Ravesa Lleshi është vajza e ish-zyrtarit të lartë socialist, Ismail Lleshi.
– Në Katar, ambasador është Kujtim Xhani, ish-shefi i Protokollit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
– Në Misionin e OSBE-së në Vjenë, diplomati Ksandro Disho, shtetas me pasaportë greke, është emëruar diplomat pa status.
– Në Misioni Shqiptar në NATO Bruksel, është diplomate Amanda Vrana, ish-sekretarja shefit kabinetit të Ministris së Jashtme.
Miss-et, qershia mbi tortë
Shërbimi diplomatik shqiptar ka pasur të nevojshme të përfaqësohet denjësisht edhe nga bukuria femërore. Kush më mirë se dy miss-e mund ta bënin këtë gjë?
– Në Kroaci është emëruar diplomate Mariela Berliku
– Në Konsullatën e Barit, në Itali, është emëruar diplomate ish-miss Albania, Monika Zguro
Nga Bold.news