QSUT bën paralajmërimin e fortë: Mbroni fëmijët nga pickimet e insekteve, rrezikohen nga infeksione të rënda
7 Gusht 2024
Në urgjencën e Pediatrisë së QSUT, përveç infeksionit Covid , gastroenteriteve dhe infeksioneve respirator, tek të vegjlit po diagnostikohen edhe infeksione me simptoma të rënduara të sistemit nervor qendror siç janë meningitet dhe meningoencefalitet.
“Kemi patur fëmijë që janë paraqitur me simptomat të meningitit por nuk kam një numër të saktë. Ata janë hospitalizuar në infektiv dhe kanë marrë shërbimin përkatës”, tha mjekja Ergena Neziri.
Simptomat në këto raste janë të komplikuara dhe të vegjlit shtrohen me urgjencë në spitalin Infektiv.
“Kanë ardhur kryesisht me të vjella, temperaturë rezistente, irriditet të qafës, gjendje intoksikacioni, një pjesë janë jo shumë koshientë dhe shumë të lodhur, ka patur edhe forma që kanë qenë të kombinuara me meningo-encefalit. Të gjitha rastet janë hospitalizuar, izoluar, edhe janë ndjekur protokollet e mjekimit”
Moshat e prekura kanë qenë kryesisht 5-6 vjeç por ka patur edhe të rritur 10 vjeç. Mjekja thotë se shqetësim në rritje këtë verë kanë qenë edhe pickimet nga mushkonjat të cilat janë shoqëruar me alergji agresive në lëkurë.
“Kemi patur incidencë të shtuar të formave të alergjive kryesisht të ardhura nga pickimet e insekteve të ndryshme të cilat këtë sezon veror kanë qenë në përqindje të konsiderueshme në urgjencë. Kanë qenë më shumë pickime nga mushkonjat dhe bletët”, tha mjekja.
Shkaktar i përhapjes së meningiteve që prek cipën e trurit, janë infeksionet bakteriale ose virale. Rrugë e përhapjes së infeksionit, sipas mjekëve, mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji i kontaminuar.