Quo Vadis Shqipëria?!
Quo Vadis Shqipëria?!
22/06/19. –
Kur politika po dështon të gjejë dialogun dhe po e çon krizën drejt një kulmi të ri, ku të gjitha skenarët janë të mundshëm, shumë figura të jetës publike, shkrimtarë, intelektualë apo përfaqësues të klerit, kanë bërë apel për qetësi e maturi. Sot, për gazetën MAPO flasin shkrimtarët Fatos Kongoli, Lazër Stani e Visar Zhiti. Të zhgënjyer nga politika dhe politikanët apeli i tyre u drejtohet qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të mbrojnë të drejtat e tyre e të mos bëhen pre e aventurave politike
Nga Blerina Gjoka
Kane mbetur dhjetë ditë te forta mes dilemës ku po shkojmë! Pasiguria, ankthi, duket se po prishin atë lloj letargjie 29-vjeçare, mes moçalit të demokracisë hibride dhe kufirit të autoritarizmit të theksuar. Në pozicione të palëvizshme mbesin të dyja palët. Mazhoranca po “udhëheq” e vetme drejt zgjedhjeve (votimeve) të datës 30 qershor, mes pompozitet qeveritar dhe arrogancës verbale, ndërsa opozita proteston jashtë garës zgjedhore, e derdhur në rrugë, në kërkim të sic thote ajo, te normave bazë të demokracisë; zgjedhje të lira dhe ndershme. Vija ndarëse është 30 qershori… Askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë atë ditë, por nëse nuk ka një “marrëveshje të orëve të fundit”, fundi parashikohet jo i mire. Konfliktet fizike dhe ndërhyrja e policisë në qendrat e KZAZ-ve ka nisur që tani, kjo e nxitur vetishëm edhe nga publikimi në gazetën gjermane Bild të 26 audiopërgjimeve të rënda të dosjeve 339 dhe 184, ku flitet për shitblerje votash, ndërhyrje të drejtpërdrejtë të elitës drejtuese të mazhorancës dhe botës së errët të krimit në “shenjtërine e votës”.
Në kohë të errëta si këto të rrish i heshtur është njësoj si të pranosh të bëhesh palë me të keqen. Thirrjes së ndërkombëtarëve për dialog e qetësi (ndonëse jo në intensitet), u janë bashkuar dhe intelektualë të fushave të ndryshme, shkrimtarë, përfaqësues të klerit fetar etj. Apeli u drejtohet krerëve të politikës duke kërkuar maturi në menaxhimin e krizës dhe vendosjen e interesit të vendit para interesave personale. Kreu i Kishës katolike të Shqipërisë, imzot Xhorxh Frendo, ishte i pari që bëri një apel publik për politikanët e vendit duke u kërkuar atyre të mos përçajnë shqiptarët, por të kërkojnë një zgjidhje paqësore. “Në emër të Zotit, ne katolikët ju lutemi të dhuroni dashuri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke na treguar se me vendosmëri kërkoni zgjidhje paqësore për këtë situatë. Nuk duam që e keqja të na çojë në të keqe më të madhe. Nuk mund të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë. Harroni sulmet ndaj njëri-tjetrit. Duajeni Shqipërinë më shumë se partitë. Shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet, që të mos shkojmë në humnerë vdekjeprurëse. Hapni kapitull të ri në politikë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti ju dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes”, shprehej në apelin e tij Imzot Frendo.
Por politika duket se është më larg se kurrë udhës së pajtimit. Në Shkodër të enjten e kësaj jave pamë një Shqipëri të ndarë më dysh, disa me njërën palë e të tjerët me palën tjetër brenda një qyteti, brenda një sheshi, ku mbeshtetesit e opozitës protestonin kundër kryeministrit Rama, vetëm disa metra pas gardhit me policë, ku ai po mbante fjalime elektorale. Analistë e intelektualë kanë nisur të bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje. Ata e shohin klasën politike si përgjegjëse për këtë situatë, fajtore për mosgarantimin e të drejtës së votës, për dhunën dhe situatën ekonomike. Për shkrimtarin Fatos Kongoli politika është ajo që ka zhgënjyer shqiptarët në këto 30 vite duke ndërtuar një karikaturë të mjerueshme të demokracisë. Për të, politikanët janë të etur për pushtet dhe të izoluar në idiotësi, ndërsa apelin e tij si njeri i letrave ua drejton qytetarëve të thjeshtë duke u kërkuar që të ruajnë qetësinë e të mos bien pre e aventurave politike.
Edhe për shkrimtarin Lazër Stani situata është alarmante për demokracinë në vend. Ai e sheh sjelljen e mazhorancës si nisjen e një diktature të re dhe apelin e ka për qytetarët duke u kërkuar që të mos e lejojnë këtë. Sipas Stanit protesta, paqësore por e vendosur, do të jetë e vetmja armë në mbrojte të të drejtave dhe lirive politike, që janë rrezikuar.
Kurse Visar Zhiti bën një apel të fortë: “Unë nuk besoj se ata, politikanët profesionistë, nuk e dinë se ç’duhet, por bëjnë atë që u duhet, më shumë atyre se sa vendit, për fat të keq, kështu besohet. Politika është një gjë serioze, që nuk duhet lënë në dorë të politikanëve, thoshte një i mençur, sociolog. Pra, politikanët duhet të jenë seriozë e të përgjegjshëm, të duan vendin, prosperitetin e tij. Të bëhen lidera, burra shteti. Se politikani mendon zgjedhjet e ardhshme, thoshte Çurçilli, burri i shtetit të ardhmen”.
Shkrimtari Veton Surroi në një intervistë për Koha Ditore duke bërë një analizë të situatës ku ndodhet Shqipëria sot e quan mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit një rrugë drejt një konflikti më të madh dhe rënie për vendin.
“Ashtu si kishte vendi ngritje joevolutive me NATO-n, MSA-në dhe Procesin e Berlinit, rënia e tanishme mund të jetë njëjtë tejpërpjesëtimore. Insistimi që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor tashmë tejkalon çështjen e legjitimitetit (të cilin nuk do ta kenë nëse mbahen) dhe u afrohet vijave të kuqe të sigurisë kombëtare”, shkruan Surroi. Studiuesi i letërsisë Çapajev Gjokutaj, në profilin e tij në Facebook bën një analizë të krizës politike dhe të votimeve që do të mbahen më 30 qershor, duke i quajtur ato si një moment që do të sjellë më shumë ndasi mes shqiptarëve. “Pas këtyre zgjedhjeve të diskutueshme shoqëria jonë do të dilte edhe më e polarizuar se ç’është sot. Erdhëm në mileniumin e ri të ndarë në partizanë e ballistë, s’kemi pse t’i shtojmë dru këtij zjarri që do të drobiste edhe popuj të mëdhenj e të pasur”, mban qëndrim ndër të tjera Gjokutaj. Ata që kanë në dorë fatet e vendit janë “të ndezur mendërisht”, kur situata kërkon veprim me qetësi dhe të vihen në zbatim fjalët që vijnë prej mendjeve të urta.
Nga: mapo.al