Qytet fortesa mesjetare e Novobërdës – Kosove
Qytet fortesa mesjetare e Novobërdës –
Në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës, rreth 30-35 km në perëndim prej Gjilanit dhe rreth 39 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Novobërdës. Sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, Novobërda me këtë emër për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin Nuovo Monte. Kalaja e Artanës (Novobërdës), e emërtuar “Mbeturinat e Kalasë Mesjetare”, daton nga shek. XIII-XIV. Kalaja ka pasur funksion të mbrojtjes gjatë periudhave të ndryshme. Mirëpo, shpjegimet dhe supozimet teorike për vjetërsinë e kalasë janë endur midis mesjetës dhe antikitetit. Në shekullin I (p.e.s.) autori grek Straboni në veprën e tij “Geographica” përmend qytete urbane të Ilirisë, të cilat i quan qytete të vjetra (Polis arhaia). Përpos Scupit (Shkupit), Naissusit (Nishit), ai përmend edhe vendbanimet mbi Ulpianë, qytetin në Veletin të Janjevës, dhe atë mbi Artanë (Novobërdë). Lokacioni i Artanës (Novobërdës) njihej si vendbanim xehetar, zonë e minierave të argjendit dhe arit dhe ishte i njohur për zhvillim të farkëtarisë dhe prerjes së monedhave. Kalaja është e ngritur në një kodrinë shumë strategjike që vrojton terrenin dhe të gjitha kalatë tjera më të vogla, të kthyera nga ajo për të marrë e kthyer sinjalet komunikuese. Ndërtimi i takon tipit fortifikatë. Kalaja përbëhet nga dy pjesë të ashtuquajtura Kalaja e sipërme dhe Kalaja e poshtme. Kalaja e sipërme ka gjashtë kulla; kulla lindore dhe ajo perëndimore kanë bazë drejtkëndëshe, kurse të tjerat bazë katrore, dhe ka një sipërfaqe rreth 0.05 hektarë. Kalaja e sipërme ka qasje vetëm nga pjesa lindore. Nga pjesët tjera, pjerrtësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.