Qytetarët (Jo Partite Opozitare) kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. – Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim
Qytetarët (Jo Partite Opozitare) kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
– Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim
9 Mars 2022
Tre orë protesta kundër rritjes së çmimeve/ Nga tubimi para kryeministrisë tek bllokimi i rrugëve të Tiranës. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim
Për më shumë se tre orë shumë qytetarë kanë protestuar sot kundër rritjes së çmimit të karburantit, por edhe të produkteve të tjera ushqimore. Protesta e thirrur nga shoqëria civile nisi në orën 17:00 para kryeministrisë dhe përfundoi rreth orës 20:00 në rrugët e Tiranës, të cilat qëndruan të bllokuara duke paralizuar qarkullimin e automjeteve dhe të transportit urban.
Fillimisht protestuesit u grumbulluan përpara kryeministrisë, ku me pankarta në duar kërkonin uljen e çmimit të naftës. Ata bëjnë fajtor kryeministrin Edi Rama për krizën e çmimeve duke thënë se ajo po e keqqeveris vendin. Ata kërkuan te ulen cmimet, ose kryeministri te japë dorëheqjen.
Pasi u mbajtën fjalime të shumta para selisë së qeverisë, qytetarët lajmëruan se do të mblidhen sërish nesër në orën 17:00, ndërsa të shtunën njoftuan një protestë kombëtare në orën 11:00.
Kur u mendua se protesta përfundoi, ata dolën në rrugë. Fillimisht bllokuan unazën e kryeqytetit, por më pas edhe disa rrugë të tjerë që lidhen me qendrën e Tiranës.
Për më shumë se 60 minuta, në Tiranë u paralizua qarkullimi i automjeteve, pasi protestuesit bllokuan rrugët. Ata zgjodhën format nga më të ndryshme për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve, madje bllokuan rrugën edhe me kazanët e mbeturinave.
Policia edhe pse ishte prezent e ka parë protestën nga larg, por është dashur një konfrontim, që ajo të ndërhynte duke tentuar të shpërndajë protestuesit. Policia vendosi edhe barrikada, por që u hoqën nga qytetarët.
Në lidhje me këtë situatë, reagoi edhe Presidenti Ilir Meta, i cili teksa renditi masat e marra nga qeveritë e vendeve të rajonit, i bëri thirrje qeverisë shqiptarë që të reflektojë dhe të ulë çmimin e naftës. Po ashtu presidenti thotë se duhet të miratohet një paketë për ti ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.