Qytetarët kundër shpalljes së Gjirit të Llamanit “Zonë e Mbrojtur Natyrore”, çështja do të përfundojë në Strasburg
15 Gusht 2022
Pronarë të shumtë himariotë të zonës së Porto Palermos, drejtues të organizatave të bregut si dhe përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri, kanë zhvilluar një protestë kundër vendimit të fundit të qeverisë.
Sipas këtij vendimi, qeveria e kryeministrit Edi Rama e shpall zonën nga Gjiri i Llamanit në hyrje të Qeparoit zonë të mbrojtur natyrore, me pretendimin e mbrojtjes së asetit natyror të kësaj zone. Mirëpo sipas asaj që pretendojnë protestuesit, pas këtij vendimi fshihet një marrëveshje e fshehtë perspektive me oligarkët të cilët po gllabërojnë me të gjitha format tokat e himariotëve. Në miting pronarë të tokave në Porto Palermo refuzuan kategorikisht vendimin e qeverisë.
U shprehën se kanë nisur ankimimet e tyre në shumicën e ambasadave të huaja në vend dhe në gjykatë. Sipas krerëve të minoritetit grek për këtë vendim ka pasur menjëherë ankesë edhe nga autoritetet e Greqisë, ndërkohë që sipas politikës çështja do të shkojë në gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut. Kryetari i “Omonia”-s në Himarë Fredi Beleri, foli lidhur me vendimin për shpalljen e Porto Palermos park natyror, duke u shprehur se kjo është një përpjekje e qeverisë Rama për t’u marrë tokat pronarëve, grekë apo shqiptarë.
Beleri theksoi dje se për këtë çështje do t’i drejtohet gjykatave vendase, asaj Kushtetuese, si dhe Gjykatës së Strasburgut. “Është problem që mund të zgjidhet duke bërë presion te shteti shqiptar, ndërkombëtarët. Si komunitet jemi treguar konstruktiv. Akoma s’po bëhet regjistrimi i pronave. Qeveria kërkon mënyra për mos regjistrimin e pronave të banorëve, qoftë grekë apo shqiptarët. Është përpjekje e qeverisë për të marrë tokat nga ata që u takon, në favor të hajdutëve. Kjo bëhet duke zbatuar ligje që janë në kundërshtim me gjithë praktikën ndërkombëtare. Në radhë të parë do t’u drejtohemi gjykatave vendase. Do t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut dhe Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur për këtë padrejtësi”, tha ai.
Gazeta Sot