Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 100 milionë euro nga taksat për kompanitë koncesionarë gjatë vitit të ardhshëm.-
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 100 milionë euro nga taksat për kompanitë koncesionarë gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, që u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë, fatura e koncesioneve do të rritet me 50 për qind krahasuar me këtë vit, për shkak të hyrjes në fuqi të tre kontratave të reja.
Ato janë Rruga e Arbrit, Koncesioni i Laboratorëve dhe mirëmbajtja e rrugës Durrës-Kukës.
Aktualisht qeveria paguan 8 kontrata koncesionare nga buxheti, me një vlerë totale prej 8.5 miliardë lekësh. Për vitin e ardhshëm, fatura e koncesioneve rritet me 4.2 miliardë lekë ose 49.5 për qind krahasuar me këtë vit, për shkak të hyrjes në fuqi të kètyre tre kontratave.
Sipas tabelave të buxhetit, për Rrugën e Arbrit qeveria do të paguajë 2.6 miliardë lekë gjatë vitit e ardhshëm.
Për Koncesionin e Laboratorëve shuma e parashikuar është 886 milionë lekë, ndërsa kontrata e tretë, ajo e mirëmbajtjes së rrugës Durrës Kukës, do të paguhet 681 milionë lekë. Kjo shifër është pjesa që paguhet nga buxheti si kompensim për trafikun minimal të automjeteve që qeveria i ka garantuar koncesionarit privat në rrugën Durrës-Kukës.
Së bashku me tre kontratat e reja, që nisin të paguhen vitin e ardhshëm, numri total i koncesioneve që paguhen nga buxheti i shtetit arrin në 11 kontrata, ndërsa vlera totale e pagesës shkon në 12.7 miliardë lekë.
Kjo shifër është e barabartë me 3 për qind të të ardhurave totale të buxhetit, ndërkohë që në ligj, parlamenti I ka dhënë të drejtë qeverisë të shpenzojë për koncesionet deri në 5 për qind të të ardhurave totale buxhetore.
Pagesat për koncesionet pritet të rriten sërish pas vitit të ardhshëm, për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja, si rruga Thumanë-Kashar, ajo Milot-Balldren, aksi Orikum-Dukat si dhe koncesioni i shkollave të Tiranës.