1 Gusht 2024

Aleksandri i Madh u përpoq të pushtonte dikur qytetin e vjetër të Termessos, por dështoi. Sot, rrënojat e  këtij qyteti, të vendosur lart në malet e Turqisë jugperëndimore, mund të vizitohen nga kushdo, por pak nga turistët që kalojnë pushimet në Antalia, zgjedhin të ngjiten dhe në këtë vend.

Është një vend me histori dhe peizazhe që kombinohen për të krijuar një nga mrekullitë e mëdha arkeologjike të Mesdheut. Duke u pushtuar ngadalë nga bimësia dhe duke u konsumuar nga koha, mauzoleume gjigante, tempujt, muret rrethuese dhe një amfiteatër, shtrihen në majë të një kodre që ofron pamje mahnitëse. Termessos është i lehtë për t’u arritur. Duhen vetëm rreth 45 minuta nga qendra e Antalias, deri në portat e Parkut Kombëtar të malit Güllük-Termessos.

Njerëzit e Termessos njiheshin si Solyms, pasardhës të Luvianëve, një qytetërim i lashtë që u përhap në atë që është sot Turqia, por kryesisht u anashkalua nga studiuesit arkeologjikë deri në dekadat e fundit. Deri më sot, dihet pak për Solyms ose kur ata ndërtuan qytetin e tyre. Zgjedhja e vendndodhjes së tyre tregoi një gjenialitet strategjik, pasi jo vetëm që ishte në një rrugë kryesore tregtare, duke e bërë të mundur që të pasurohej me mallra dhe pagesa nga njerëzit që shkonin drejt dhe nga Mesdheu, por lartësia dhe pamjet e bënin të lehtë mbrojtjen nga armiqtë.

Kjo është arsyeja pse kur Aleksandri i Madh u shfaq rreth vitit 333 p.e.s ai me sa duket nuk ishte në gjendje të pushtonte qytetin, pavarësisht përpjekjeve të shumta. Ai thuhet se e quajti qytetin një “fole shqiponjesh”.  Termessos besohej se ishte shkatërruar nga një tërmet, data e saktë e të cilit nuk dihet, por ndoshta rreth shekullit të 4-të ose të 5-të. Vendndodhja e qytetit është konsideruar veçanërisht e rëndësishme pasi ndodhet përballë një mali që dikur ishte i shenjtë për banorët e qytetit.