Radhë të gjata në pikën kufitare të Kapshticës
4 Maji 2024
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, përmes një ‘live’ nga Kapshtica ka denoncuar radhën e gjatë të krijuar në pikëm kufitare, teksa shumë qytetarë shqiptarë kthehen drejt atdheut për të festuar Pashkët Ortodokse.
Blushi thekson se në pikën e kalimit kufitar me Greqinë situata është e rëndë, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, të marrin të gjitha masat për të garantuar lëvizjen e lirë.
Ndër të tjera ai u shpreh se çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa me shtet dhe pa Atdhe!
“LIVE nga Kapshtica, në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, për të ndjekur nga afër qarkullimin e bashkëkombasve tanë, të cilët po vijnë në Atdhe për të festuar Pashkën e Madhe ortodokse.
Situata është e rëndë dhe raportimet bëjnë me dije se shtimi i fluksit në orët e ardhshme do ta bëjë edhe më të vështirë. Nga pika e kalimit kufitar në Kapshticë ju bëj thirrje institucioneve përgjegjëse, të çohen në këmbë dhe të marrin të gjitha masat për të garantuar lëvizjen e lirë.
Vuajtjet e qytetarëve në rradhët kilometrike dhe vonesat burokratike në kufi, në Shqipërinë e vitit 2024 janë të patolerueshme! Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa me shtet dhe pa Atdhe!
Një urim të përzemërt për të gjithë bashkëkombasit që po vijnë në këto orë nga jashtë për të festuar me familjet e tyre në Shqipëri: Gëzuar Pashkën! Shëndet, lumturi dhe mbarësi në familjet tuaja!
Dramës së madhe të shpopullimit do t’i japim fund me 5 prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus”, shkruan Blushi në rrjetin social ‘Facebook’.